Connect with us

Aktualitet

‘Më ka ngacmuar të dashurën”/ 68 vjeçari u mor peng, gruaja e të moshuarit u jep autorëve 20 mln lekë

Edvar Agalliu më ka ngacmuar,”-kjo fjali ka mjaftuar për të marrë peng një 68-vjeçar. Ditën e djeshme, në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës disa persona morën peng 68-vjeçarin. Sulejman Sina, së bashku me Klinton Sinën dhe Idajet Mashollarin kanë marrë forcërisht në automjetin e tyre Agalliun duke e dërguar në një banesë të braktisur në fshatin Kakunjë Baldushk. E gjitha kjo, sepse Sina pretendonte se 68-vjeçari i kishte ngacmuar të dashurën, Nikoleta Begollin. Kjo e fundit, 32 vjeçe, kishte nisur komunikim në rrjetet sociale me Agalliun, ndërsa paralelisht kishte një lidhje me Sulejman Sinën, i arrestuar dhe i njohur më parë për dënime për vjedhje me dhunë.

Ditën e pengmarrjes, ishte Begolli ajo që i kërkoi Agalliut të takohej në zonën e “Pazarit të Ri”. Kështu ndodhi edhe pengmarrja. Në banesën e braktisur, teksa e mbanin të lidhur, e kërcënonin që t’u dorëzonte 20 milionë lekë (të vjetra) si “dëmshpërblim” për dëmin moral që u kishte shkaktuar. Me pengmarrjen, Sulejman Sina kërkonte “drejtësi” për partneren e tij.

Kështu, telefonuan bashkëshorten e të moshuarit, duke ia kërkuar asaj paratë në këmbim të lirisë të të shoqit. Për disa orë, gruaja ka mundur që të grumbullojë 1.746.000 lekë të reja (17 milionë të vjetra). Paratë për të liruar të shoqin, ia ka dorëzuar Bajram Ibraliut në zonën e Saukut. Ndërkohë që i gjithë ky “operacion zhvateje” po ndodhte në Tiranë, Policia ishte vënë në dijeni nga “inteligjenca policore”. Brenda disa orëve nisën arrestimet e para lidhur me ngjarjen. Nga kontrollet e kryera në banesa si dhe në një mjetin me të cilin lëviznin çifti, Sulejman Sina dhe Nikoleta Begolli u gjetën dhe paratë që u kishte dhënë e shoqja e personit që ishte marrë peng.

Vetë 68-vjeçari Edvar Agalliu është shprehur se e njeh Begollin por që nuk e ka ngacmuar asnjëherë. Ndërsa 32-vjeçarja ka mbajtur të njëjtin version me të dashurin e saj, duke pretenduar se është ndjerë e shqetësuar nga i moshuari, por nuk sqaron se përse për çështjen e ngacmimit, pengut i kanë kërkuar para. Aktualisht çështja është duke u hetuar dhe i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës.

Advertisement