Kronike
Me kapele, syze optike dhe tatuazhe: Del foto e Lul Berishës në momentin e arrestimit
I shpallur në kërkim ndërkombëtar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Lul Berisha u kap falë bashkëpunimit të njësive FAST, të Shqipërisë dhe Spanjës në operacionin e koduar “Sant Joan”.Policia e Shtetit kishte siguruar informacion përmes inteligjencës se Berisha ndodhej në territorin spanjoll dhe falë bashkëpunimit me strukturat homologe, u bë i mundur ndalimi i tij. Kujtojmë se për Lulzim Berishën, Gjykata e Lartë vendosi në dhjetor të vitit 2021, se duhet të rikthehet në qeli për të vuajtur dënimin edhe për 5 vite. Vendimi i Gjykatës së Lartë rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, që kishte vendosur lirimin nga qelia të Berishës dhe vuajtjen e pjesës tjetër të dënimit me shërbim prove. Berisha duhet të kryejë edhe 5 vite dënim të mbetur, pasi është dënuar si ish-drejtues i Bandës së Durrësit. Ai u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, por me dërgimin e dosjes në Gjykatën e Lartë, dënimi u ul në 25 vite burg. Më pas, Berisha filloi betejën me drejtësinë për t’u liruar. Në vitin 2016, Gjykata e Apelit Durrës pranoi kërkesën e tij për të vijuar me shërbim prove pjesën e mbetur të dënimit. Në një nga shkresat që mbështesnin pretendimin e tij për lirim ishte edhe një e firmosur nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili thoshte se do ta punësonte në një nga drejtoritë e Bashkisë. 1 vit pas lirimit, SPAK kërkoi arrestimin e tij, pasi dyshohet se është i përfshirë në Vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt në vitin 2005. Ai vijon të jetë në arrati.