Connect with us

Politike

“Me oligarkët ortakë dhe offshore-t ka…”/ Shehaj shpërthen ndaj qeverisë Rama

Kryetari i Partise Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë sot një deklaratë për mediat nga salla e konferencave të Kuvendit nga ku tha se kompania koncensionare gjermane e Portit të Durrësit, i ka kërkuar në Arbitrazh Qeverisë Shqiptare 40 milionë euro, sipas tyre për prishje të kontratës. Shehaj tha se ndërkohë që gjyqi në arbitrazh vazhdon, është lejuar që ky koncensionar, i cili i kërkon 40 milionë euro qeverisë, të shesë koncensionin te një subjekt i ri, pas të cilit nuk dihet se kush fshihet.

Ai ka prezantuar një dokument për të cilin tha nëpërmjet tij autorizohet transferimi i kuotave të koncensionit pavarësisht gjyqit në arbitrazh me koncensionarin. Shehaj tha se kemi të bëjmë me një marrëveshje okulte të ndërmjetësuar në mënyrë private nga kryeministri Rama. Gjithashtu kreu i Partisë Mundësia tha se ëpërmjet kësaj marrëveshje, Rama ka larguar gjermanët dhe ka marrë nën kontroll koncensionin e Portit të Durrësit dhe se ky koncension është një aferë korruptive.

DEKLARATA E PLOTË E SHEHAJT:

Siç e dini, kompania koncensionare gjermane e Portit të Durrësit, i ka kërkuar në Arbitrazh Qeverisë Shqiptare 40 milionë euro, sipas tyre për prishje të kontratës. Ndërkohë që gjyqi në arbitrazh vazhdon, zevëndëskryeministrja Belinda Balluku ka lejuar që ky koncensionar, i cili i kërkon 40 milionë euro qeverisë, të shesë koncensionin te një subjekt i ri, pas të cilit nuk dihet se kush fshihet.

Ky është dokumenti, nëpërmjet të cilit, ministrja Balluku autorizon transferimin e kuotave të koncensionit pavarësisht gjyqit në arbitrazh me koncensionarin. Qartësisht kemi të bëjmë me një marrëveshje okulte të ndërmjetësuar në mënyrë private nga kryeministri Rama. De fakto, nëpërmjet kësaj marrëveshje, Rama ka larguar gjermanët dhe ka marrë nën kontroll koncensionin e Portit të Durrësit.

Ministrja Balluku, që është bërë pjesë e kësaj marrëveshje okulte me firmën e saj, duhet t’i shpjegojë shqiptarëve dhe opinionit publik se si është e mundur që një kompani paguan të paktën 13 milionë euro, për një koncension që nuk ekziston më dhe mbi të cilin ka një arbitrazh.

Së dyti, kush qendron pas pronarëve të rinj tëkoncensionit? Së treti, çfarë i ka premtuar qeveria shqiptare pronarëve të rinj të koncensionit? Së katërti, a vazhdon gjyqi në arbitrazh apo është vendosur kusht tërheqja nga nga arbitrazhi? Së pesti, pse është mbajtur i fshehtë transferimi i koncensionit? Së gjashti, a është vendosur në qershor largimi i kompanisë koncensionare gjermane për të vazhduar në qetësi trafikun e mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit?

E vërteta është që edhe ky koncension është një aferë korruptive, si gjithë koncensionet e rrugëve, porteve, aeroporteve, shendetësisë, inceneratorëve. Qeveria nëpermjet oligarkëve ortakë dhe kompanive offshore ka marrë nën kontroll gjithë infrastrukturen e vendit dhe ekonominë, me një qëllim të vetëm, të konsolidojë pushtetin politik dhe të bejë të pamundur rrotacionin demokratik te pushtetit.

Advertisement