Aktualitet
Me pak aksidente por më shumë viktima

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 janë regjistruar 52 viktima nga aksidentet rrugore në Shqipëri, sipas të dhënave paraprake të publikuara nga INSTAT. Ky është numri më i lartë i viktimave për të njëjtën periudhë tremujore prej janar-mars 2021 kur u regjistruan 58 viktima.
Nga ana tjetër në total gjatë periudhës janar-mars 2025 janë regjistruar 301 aksidente rrugore, një rënie prej 20.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u shënuan 377 aksidente.
Vetëm gjatë muajit mars 2025 janë shënuar 88 aksidente rrugor me një total prej 128 personash të aksidentuar, përfshirë të plagosur dhe të vrarë.
85.2% e aksidenteve janë shkaktuar si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, ndërsa grupmosha më e përfshirë është ajo 35-44 vjeç, me 29.5% të rasteve.
Sipas shpërndarjes ditore aksidentet ndodhin më shpesh ditën e hënë 20.5%, ndërsa dita me më pak aksidente është e enjtja 10.2%.
Nga të dhënat e muajit mars rezulton se numri i viktimave meshkuj është ndjeshëm më i lartë krahasuar me femrat. Vetëm muajin e kaluar janë regjistruar 17 meshkuj të vdekur dhe 3 femra, ndërsa në të plagosur përfshihen 79 meshkuj dhe 29 femra.
Edhe pse krahasuar me një vit më parë numri i aksidenteve ka rënë, numri i viktimave është rritur.
Në tremujorin e parë të 2024-ës u shënuan 34 viktima, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2025 janë regjistruar 52.

