Connect with us

Aktualitet

‘Më ra dhe iku’/ U përplasën nga trageti, kapiteni rrëfen momentin

Kapiteni i anijes së peshkimit “Elton 1”, e cila u godit nga një traget i linjës Durrës – Bari, ka dalë në një prononcim për mediat pas ngjarjes që ndodhi mesnatën e kaluar.

Selim Agasi ende i tronditur nga gjithçka përjetoi, thotë se nuk e di kur do të kthehet sërish në det.

“I kam bërë shenjë anijes me drita, më ka ardhur dhe më ka rënë me sekonda. Ai nuk ka ndezur as drita, as sirenë. Më ka rënë dhe ka ikur”.

Një tjetër peshkatar i anijes së mbytur thotë se ndjehet me fat që nuk ishte në bord natën e kaluar. Peshkatarët dhe pronari i anijes ngrenë pretendimin se trageti po lëvizte jashtë trajektores së vet dhe pas goditjes fillimisht nuk ka ndaluar për t’i dhënë ndihmën e parë peshkatarëve në rrezik për jetën.

“Fati i tyre, kanë lindur për së dyti për mua. Trageti ka ikur nga vendi, ka shkuar policia t’i gjejë”.

Brenda pak minutash peshkarexha është mbytur. Ekuipazhi i përbërë nga kapiteni dhe dy peshkatarë, njëri prej të cilëve egjiptian, kanë përdorur një mjet të vogël shpëtimi që i ka mbajtur mbi ujë deri në çastin kur ka mbërritur policia kufitare.

Çfarë njoftoi policia?

“Policia Kufitare e portit të Durrësit shpëton 3 shtetas që lundronin me një peshkarexhë me konstrukt druri, dhe rrezikonin të mbyteshin, pasi peshkarexha iu fundos në det.

Rreth orës 00:05, QNOD ka njoftuar Policinë Kufitare të portit të Durrësit, se 3 shtetas që ndodheshin në një motopeshkarexhë, kërkonin ndihmë, pasi rrezikonin të mbyteshin në det.

Menjëherë në ndihmë të tyre është nisur Policia Kufitare me mjetin lundrues, GDF-ja dhe roja bregdetare.

Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të portit të Durrësit ka mbërritur në kohë dhe ka shpëtuar nga mbytja shtetasit që ndodheshin në ujë, pasi motopeshkarexha iu ishte fundosur në det.

Punonjësit e Policisë Kufitare kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë, kapitenin, shtetasin S. A., 54 vjeç dhe pjesëtarët e bordit, shtetasit K. K., 30 vjeç dhe M. E., 50 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e para dyshohet se motopeshkarexha është goditur nga një traget, i cili ka pezulluar lundrimin. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet ne njoftimin e policise.

Advertisement