Connect with us

Bota

Më shumë se 1 milion/ Amerika krijon flotën e dronëve

Ushtria e Shteteve të Bashkuara synon të blejë të paktën një milion dronë gjatë tre viteve të ardhshme, si pjesë e një strategjie të re për modernizimin e kapaciteteve ajrore pa pilot.

Kështu bën të ditur agjencia Reuters, duke cituar Sekretarin e Ushtrisë, Daniel Driscoll.

Sipas tij, pas këtij faze fillestare, blerjet mund të arrijnë nga gjysmë milioni deri në disa milionë dronë në vit, në varësi të kërkesave operacionale.

Aktualisht, ushtria amerikane zotëron rreth 50 mijë dronë në total – shifër që e bën planin e ri një rritje të paprecedentë.

“Është një ndërmarrje e madhe, por plotësisht e realizueshme”, tha Driscoll për Reuters, gjatë një vizite në Picatinny Arsenal, bazën ushtarake ku po zhvillohen teste për armë dhe teknologji anti-dron.

Ai përmendi përdorimin e “net rounds” – sisteme që kapin dronët në rrjeta – dhe integrimin e mjeteve elektromagnetike që mund të neutralizojnë pajisje ajrore armike.

Sipas Reuters, SHBA po nxjerr mësime nga lufta Rusi-Ukrainë, e cila ka treguar rolin vendimtar të dronëve të vegjël dhe të lirë në konfliktet moderne.

Ndërsa avionët luftarakë tradicionalë janë bërë të rrallë për shkak të sistemeve të dendura kundërajrore, dronët janë shndërruar në armën më efektive dhe fleksibël në fushën e betejës.

Driscoll theksoi se Ukraina dhe Rusia prodhojnë secila rreth 4 milionë dronë në vit, ndërsa Kina ka kapacitete më të mëdha – ndoshta më shumë se dyfishin e kësaj sasie.

“Qëllimi është që SHBA të arrijë vetë-mjaftueshmëri në prodhimin e dronëve”, tha Driscoll, duke shtuar se kjo nënkupton nxitjen e prodhimit vendas të komponentëve kryesorë si motorët, sensorët, bateritë dhe qarkoret – pjesë që dominohen aktualisht nga industria kineze.

Ai konfirmoi se prioriteti i tij është “të vendosë Shtetet e Bashkuara në një pozitë ku mund të prodhojnë mjaftueshëm dronë për çdo konflikt të ardhshëm”.

Advertisement