Kosova
Me sytë nga fundi i prillit, Vuçiç në panik, alarm në Beograd
‘Në fund të prillit, me shumë gjasa të shtunën, më 27 prill, Kombet e Bashkuara duhet të pranojnë përfundimisht, me propozim të Gjermanisë, ‘Rezolutën për Gjenocidin në Srebrenicë’ – shkruan media kroate ‘Jutarnji list.’ Pas këtij lajmi, në Beograd ranë kambanat e alarmit dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në fjalimin e tij të ri e të gjatë në një nga televizionet e regjimit, tha se Serbia po përballet sërish me kohë të vështira.
Përveç kësaj, ai njoftoi se pas rezolutës “menjëherë, të nesërmen, do të nisë një iniciativë për shfuqizimin e Republikës Srpska, duke u nisur nga logjika se krijimet politike të bazuara në gjenocid nuk mund të ekzistojnë”, dhe tregoi gjithashtu se “nga Serbia do të kërkohen dëmshpërblimet e luftës”.
Nga ana tjetër, bashkëpunëtori i tij i ngushtë dhe ish-shefi i inteligjencës serbe, Aleksandër Vulin, sulmoi Gjermaninë si propozuese e rezolutës, duke pyetur se “a nuk mund të gjenin një vend tjetër” për ta propozuar atë si shtet gjenocidal, duke aluduar drejtpërdrejt për rolin e Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore dhe gjenocidin e kryer prej saj.
Edhe pse ajo rezolutë, natyrisht, nuk do i shpall serbët një “komb gjenocidal”, makineria politike dhe mediatike e Vuçiçit dëshiron ta portretizojë atë si të tillë, duke pyetur se përse “dikujt i duhet kjo iniciativë tani pas 29 vjetësh”, veçanërisht “ndaj një populli, kundër të cilit është kryer gjenocid në Luftën e Dytë Botërore” – shkruan Jutarnji list.
Kujtojmë se Serbia e njeh “krimin” në Srebrenicë, por nuk pranon se është kryer gjenocid. Dhe Aleksandër Vuçiç ka një shpjegim shtesë për këtë.
Gjegjësisht, presidenti serb pohon se “Perëndimi kolektiv (frazë e marrë nga kuzhina propagandistike e Putinit) nuk mund t’i mbështesë plotësisht palestinezët për shkak të mbështetjes së tyre për Izraelin”, kështu që ata “gjetën myslimanë (nënkupto këtu boshnjakët) që mund t’i mbështesin”.
Serbia dhe Republika Srpska e kundërshtojnë këtë rezolutë, duke i bërë thirrje Rusisë të reagojë dhe të aktivizojë të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion për ta sfiduar përsëri këtë iniciativë si 9 vite më parë.
Kujtojmë se në vitin 2015, Britania e Madhe propozoi një resolute të ngjashme, por Rusia bllokoi miratimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Atë kohë dhjetë vende votuan pro, katër abstenuan, përfshirë Kinën dhe Rusinë, dhe një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, vuri veton ndaj dokumentit, duke penguar miratimin e tij.
Por këtë herë, sipas ‘Slobodna Bosnia’, Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do t’i kërkohet të caktojë 11 korrikun si ‘Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës’, kur në vitin 1995 forcat serbe të Bosnjës nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiç, i dënuar në Hagë për krime lufte, vranë brenda pak ditësh mbi 8,000 burra në zonën e Srebrenicës. Paskësaj, kujtimi i atij krimi do të përkujtohej çdo vit në të gjitha vendet.
Në të njëjtën kohë, Vuçiç e lidh këtë iniciativë me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, që duhet të ndodhë në mes të majit, mesa dative 16 dhe 17, teksa kryetarja e Kuvendit të Serbisë, deri vonë kryeministrja, Ana Brnabiç, ka bërë të ditur se Serbia “mund të largohet nga ai institucion” në shenjë proteste. Aleksandër Vulin tha se Rezoluta për Srebrenicën dhe pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës janë “finalizimi i komplotit kundër Serbisë dhe Republikës Srpska”, ndërsa mediat e Beogradit njoftuan për një marrëveshje mes Milorad Dodik dhe Aleksandër Vuçiç, në lidhje me një strategji të përbashkët. Madje Aleksandër Vulin bën të ditur edhe arrestimin e mundshëm të Milorad Dodik. Frika e presidentit Vuçiçit dhe paranoja e tij po rriten dhe po rëndojnë Serbinë, e cila po bëhet peng i politikave të tij.