Sport
Me vajzën e humbur në zemër, Luis Enrique thotë se koha është për të festuar

Luis Enrique i bëri një homazh emocional vajzës së tij Xana, e cila vdiq në vitin 2019, pasi fitoi finalen e Champions League me PSG-në .
Spanjolli mbante veshur një bluzë me një skicë që tregonte atë dhe Xana-n duke ngritur një flamur të PSG-së, njësoj siç bënë me një flamur të Barcelona-s një dekadë më parë.
Xana vdiq në moshën nëntëvjeçare në gusht 2019 pas një beteje me kancerin e kockave, duke i lënë me zemër të thyer Enrique-n dhe gruan e tij Elena Cullell.
Enrique, i cili tani ka fituar një tripletë me PSG-në pasi e mundi Inter-in 5-0, ka folur për Xana-n dhe ndikimin që ajo pati në jetën e familjes së tyre.
Vajza e tij e vogël ishte me të në vitin 2015 kur ai fitoi tripletën e tij të parë me Barçën, dhe një dekadë më vonë, ai ende ndien sikur ajo është e pranishme në jetën e tij.
Pas përfundimit të ndeshjes, ai i tha “Sky Sport Italia”: “Vajza ime ka qenë me mua që kur u largua. Ajo u largua fizikisht, por është gjithmonë me mua shpirtërisht”.
“Nuk kam nevojë për një fitore apo një humbje në Champions League: E ndiej gjithsesi. Asgjë nuk ndryshon për sa i përket ndjenjave, unë ende e ndiej. Dhe dua të kujtoj të gjitha gjërat e mira që ajo solli në jetën time. Në jetë lind, vdes, gjithçka tjetër shihet”.
Tifozët e PSG-së zbuluan gjithashtu një homazh në tribuna për Xana-n, duke e treguar atë dhe Enrique-n duke vendosur një flamur.

PSG dhe Enrique i dhanë vetes shumë arsye për t’u krenuar të shtunën në mbrëmje, teksa mposhtën Inter-in me rezultatin 5-0, rezultati më i lartë në historinë e finaleve Champions League me një ndeshje.
Për më tepër, ky ishte ndryshimi më i madh i moshës në historinë e finaleve. Mosha mesatare e PSG-së ishte 25 vjeç e 96 ditë, ndërsa e Inter-it 30 vjeç e 242 ditë.
Desire Doue luajti një nga ndeshjet më të shkëlqyera që dikush ka parë në një finale, duke shënuar dy herë dhe duke asistuar Achraf Hakimi-n.
Khvicha Kvaratskhelia dhe Senny Mayulu shënuan golat për të siguruar një natë historike për PSG-në, e cila është skuadra e parë franceze që fiton Champions League-n që nga Marseille në vitin 1993.
Pas takimit, Enrique foli edhe me “Canal+” rreth kësaj mbrëmjeje historike.
“Mendoj se ky ishte qëllimi që nga fillimi i sezonit të kaluar, është koha për të bërë një festë të madhe dhe për të shijuar këtë moment tani”, tha ai fillimisht përpara se të shpjegonte se çfarë bëri diferencën në këtë sezon të Champions Leaue-s.
“Ndjeva një lidhje me lojtarët dhe tifozët, ishte e fortë”.
“Është një kohë e mrekullueshme, e meritojmë”.
“Është shumë e vështirë të luash një finale siç luajtëm ne, por arritëm ta përballonim tensionin dhe emocionin në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi ai.

Nën udhëheqjen e Nasser Al-Khelaifi, klubi i kryeqytetit pësoi një sërë dështimesh për vite me radhë përpara se të ndryshonte në mënyrë drastike strategjinë e tij dy vjet më parë.
Presidenti kishte vendosur të ndalonte me projektin e superyjeve dhe për këtë arsye kishte vendosur të mbështetej në një projekt më kolektiv.
Për të realizuar këtë projekt, ai vendosi të emërojë Luis Enrique-n në krye të ekipit.
Tekniku spanjoll kishte bërë një pastrim të madh. Këto zgjedhje ia vlejtën, pasi sot PSG-ja mund të shijojë fitoren e tyre në finalen e Champions League.

