Connect with us

Kronike

Me valixhe…pa valixhe/ Zbulohet misteri si kaloi droga në Rinas

TIRANE- Kur kanë kaluar 3 ditë që prej arrestimit të policit të Rrugores Florenc Bicerri dhe shokut të tij, ish-komandos Kujtim Çeliku, autoritetet shqiptare ende nuk kanë mundur të provojnë sesi ata arritën të kalojnë drogën përmes Aeroportit të Rinasit, edhe pse nuk është provuar as nga pala turke dhe as nga ajo shqiptare se ku e gjetën dy shqiptarët drogën.

Burime nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, i thanë “NTV.AL” se nga verifikimet e bëra deri më tani rezulton se në momentin që ata kanë kaluar në kontrollin e sigurisë në aeroportin e Rinasit, nuk kanë patur asnjë valixhe me vete. Florenc Bicerri 27 vjeç dhe Kujtim çeliku, kanë udhëtuar bashkë dhe janë arrestuar bashkë por të dy nuk kanë patur asnjë çantë apo valixhe me vete.

Të vetmet episode që lidhin trekëndëshin Rinas-Stamboll-kanabis, janë ato që lidhen me dy shtetas turq. Më 2 dhe 8 tetor, dy turq janë kapur në Rinas pasi dyshohet se po transportonin kanabis drejt Stambollit. Por ajo që nuk dihet është nëse droga e kaluar nga turqit lidhet me arrestimin e mëpasshëm të dy shqiptarëve në Turqi.

Po të njëjtat burime sqarojnë se arrestimi i tyre është bërë në një park kamionësh në Turqi, disa metra larg aeroportit ku kaluan çeliku e Bicerri duke hapur dyshimin se lënda narkotike mund të jetë kaluar në një tjetër metodë.

Lidhjet e datave janë duke u trajtuar nga AMP pasi Bicerri kaloi në Rinas më 5 tetor, në momentin kur edhe Komisariati i Policisë Rrugore nisi hetimin disiplinor për të parë edhe mënyrën e largimit nga puna, pasi nuk u paraqit në detyrë. AMP është duke verifikuar edhe përfshirjen në rrjet të personave të tjerë të dyshuar që mund të kenë ndihmuar Bicerrin dhe çelikun.

Si ndodhi arrestimi? Më 15 tetor 2022, në Turqi në një parking kamionësh u arrestuan 3 shqiptarët, Florenc Bicerri, Kujtim çeliku dhe Ardian Qirici. Mediat në Turqi raportuan se janë 3 persona që iu janë gjetur rreth 33 kilogram kanabis. Policia vendosi direkt përjashtimin e Bicerrit ndërkohë që hetimi vazhdon. Si kaloi droga nga Rinasi, kjo është “dilema”.

Advertisement