Connect with us

Rajon

Me vetëm 13 gr hashash, shqiptari shpallet trafikant ndërkombëtar

Edhe 13 gramë hashash mund të të bëjnë trafikant. Kjo i ka ndodhur një të riu që u kap në kufi me Malin e Zi me pak hashash, por që ai insiston se nuk është asgjë tjetër përveçse një përdorues që po e merrte drogën me vete për të shpëtuar nga stresi i punës në Malin e Zi.

Dosja nga prokuroria e Shkodrës tregon se i riu nga Shkodra po udhëtonte së bashku me dy familjarë drejt shtetit fqinj si punëtor sezonal në dimër kur një qen antidrogë i partnerëve ka dhënë alarmin.

I arrestuari rezulton sipas qëndrimit zyrtar se doli para gjykatës së këtij qyteti për akuzën e trafikut të narkotikëve.

“Shtetasi S.M u paraqit në pikën e kalimit kufitar në Muriqan si pasagjer në automjetin e markës ‘Mercedez Benz’, me targa AB.. DR. Mjeti drejtohej nga shtetasi tjetër S.K dhe pasagjer në vendin e parë babai i tij shtetasi F.K.

Nga kontrolli i kryer në automjet së bashku me qenin antidrogë të Malit të Zi, në bagazhin e automjetit është gjetur në brendësi të çantës së shtetasit S.M, një qese plasmasi me një lëndë me karasteristika të ngjashme me cannabis sativa, gjithsej 13 gramë” shkruhet në dosje.

Por i dyshuari ka një version sa të pabesueshëm aq dhe real. Kjo varet si do ta vlerësojë më tej gjykata e cila po e gjykon.

Këtë koment e bëjnë anëtarë të grupit të hetimit që e përshkruan të dyshuarin si një punëtor krahu në Malin e Zi në fushën e ndërtimit, ndërsa gjatë verës ai kishte punuar si punonjës sezonal në Dhërmi.

“I pyetur lidhur me ngjarjen, shtetasi S. M ka deklaruar se ditën e ngjarjes kanë qenë duke shkuar në Malin e Zi për punë, së bashku me dy shtetasit e tjerë, të cilëve iu ka kërkuar ndihmë, duke qenë se ata punonin në ndërtim në këtë shtet. Ai ka punuar në Dhërmi dhe se rastësisht ka gjetur në mbeturinat e një hoteli një qese me lëndë narkotike, të cilën ka filluar ta konsumojë”.

I riu pranon se 13 gramët me hashash i kishte marrë për t’i konsumuar dhe jo për t’i trafikuar dhe se do bamirësit e tij që e morën në makinë nuk kishin asnjë dijeni për këtë fakt.

Babë e bir nga ana e tyre tregojnë në polici se i dyshuari ju kërkoi ndihmë që ta merrnin për punë mbasi jetonte në kushte shumë të vështira ekonomike.

“Vendosëm ta ndihmojmë duke qenë se ne punojmë në Malin e Zi dhe nuk kishim dijeni që është përdorues”, thotë pasagjeri.

Gjykata si fillim ka vendosur arrest me burg me afat derisa policia shkencore të kthente përgjigjje mbi analizat dhe mjekësia ligjore të vërtetonte nëse është apo jo një përdorues.

Sidoqoftë prokuroria deklaron: “Nisur nga fakti se kjo sasi prej 13 gram që i është gjetur të dyshuarit S. M, pavarësisht faktit të qënies apo jo përdorues i kësaj lënde narkotike nuk e ndryshon faktin penal dhe pikërisht atë për të cilin ai dyshohet, pasi tashmë është e vërtetuar, pranuar edhe nga kjo gjykatë, se ai po kalonte në pikën kufitare, Muriqan duke mbajtur me vete këtë sasi lënde narkotike, të cilën e ka pranuar edhe i dyshuari.

Kjo sasi e lëndës narkotike (sasia prej 13 gram), pavarësisht se nuk është e madhe në kuptim të kryerjes së kësaj vepre penale siç është ‘Trafikimi i narkotikëve’, parashikuar nga neni 283/a e 22 të K.Penal, rrethanë e cila duhet të merret në konsideratë në gjykimin e themelit të kësaj çështjeje, por kurrsesi kjo sasi edhe nëse nga akti i ekspertimit i dyshuari rezulton se është përdorues i saj, nuk është një sasi e tillë, tashmë e gjithëpranuar nga praktika gjyqësore, për përdorim vetjak.”

Gjyqtarët paraprakë në rastin e të riut vazhdojnë të jenë të ndarë,ku njëri këmbëngul se doza është e papërfillshme dhe tjetri se nuk ka rëndësi sasia por fakti që ai po kalonte kufirin me drogë dhe kjo e bën atë një trafikant ndërkombëtar. Derisa gjykatat ta zgjidhin çështjen, i riu ka mbetur në burg./gazetasi

Advertisement