Rajon
‘Më vjen të qaj dhe të godas veten, kam ide të errëta në kokë’

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dha një intervistë për televizionin “Informer” ku bëri disa deklarata që kanë shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik.
Një nga deklaratat më tronditëse ishte pranimi i tij se në mendjen e tij po lindnin mendime të errëta dhe një dëshirë për hakmarrje.
“Kam frikë se diçka e keqe ka filluar të lindë në kokën time – një mendim se si t’ua kthej të gjitha të këqijat atyre që më kanë bërë mua, familjes sime, fëmijëve të mi dhe të gjithëve”, tha Vuçiç, duke shtuar se ai “lufton kundër këtij impulsi çdo ditë”.
Vuçiç pastaj pranoi me një ton të ashpër se nuk do të ishte problem për policinë të shpërndante qoftë edhe një turmë prej dhjetëra mijëra protestuesish brenda pak minutash.
Një pikë tjetër që ngriti polemika ishte akuza indirekte kundër një zyrtari të Ambasadës Britanike, për përpjekje destabilizimi në Serbinë jugore. Edhe pse Vuçiç tha se nuk kishte prova për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ambasadës Britanike, ai citoi “informacione nga shërbimet serbe” që “nuk janë për publikun”.
Në fund të intervistës, Vuçiç sulmoi ashpër studentët protestues duke i quajtur “kriminelë”.
«Më vjen të qaj nga mërzia dhe të godas veten. Kush je ti protestues që mendon se mund të bësh çfarë të duash?» deklaroi ai në një shpërthim emocional.
Kjo paraqitje publike e Presidentit Vuçiç ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me gjendjen e tij emocionale dhe stabilitetin politik në Serbi, thonë analistët.

