Kosova
Me xhepat bosh/ Kosova rrezikon të humbasë fondet e Bashkimit Europian për shkak të…
Kosova rrezikon humbjen e fondeve të Bashkimit Evropian për shkak të vonesës në krijimin e institucioneve, por përfaqësues të subjektit që synon të marrë sërish drejtimin e qeverisë, pavarësisht paralajmërimeve, vazhdojnë të fokusohen tek debatet e brendshme politike, duke tentuar të reduktojnë potencialin që ofron Plani i Rritjes.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar ish-opozitën për bllokimin e fondeve të Planit të Rritjes të BE-së. Për shkak se Kosova nuk e ka ratifikuar ende “marrëveshjen për kredi” me BE-në, në mungesë të institucioneve, ajo nuk mund të përfitojë asnjë cent nga instrumenti i Rritjes dhe Reformave prej 6 miliardë eurosh derisa të përfundojë procesi i tejzgjatur i konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Murati ka ngritur edhe një paralele mes marrëveshjes për kredi me Bankën Botërore dhe asaj me BE-në, duke zbehur kontekstin real të përfitimeve nga Plani i Rritjes, nga i cili Kosova mund të sigurojë mbi 880 milionë euro, prej të cilave mbi 250 milionë si grant pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formë kredie me kushte të favorshme.
Kosova ende s’ka përfituar nga parafinancimi i Planit të Rritjes prej 61 milionë eurosh – parafinancimi prej 7 për qind i është ndarë Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Madje, atyre u janë ndarë edhe mjete të reja javën e kaluar, pavarësisht se Kosova ka qenë vendi i parë që ka miratuar Agjendën e Reformave.