Kosova
Media amerikane: Serbia e zhgënjyer me raketat “Javelin” për Kosovën
Lajmi se ShBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh, është duke u diskutuar gjerësisht në Kosovë. Në përgjigjen e Departamentit Amerikan të Shtetit njoftohej se kërkesa është dërguar në Kongres për miratim, një akt që shënon fillimin e procesit zyrtar të pajisjes së Kosovës me këtë sistem të përparuar anti-tank. Në lidhje me këtë zhvillim ka shkruar edhe “Associated Press”, gazeta e njohur amerikane. Në shkrimin e saj, thuhet se ShBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa anti-tank, duke theksuar se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic shprehu “zhgënjim të thellë”. Shitja e propozuar e sistemit raketor në Kosovë vjen në një kohë tensionesh në rajon. Disa herë në muajt e fundit, Serbia ka zhvendosur trupat e saj në kufirin që ruhet nga trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, akte që nga Perëndimi u vlerësuan si veprime armiqësore. Vuçiç pohoi para pak ditesh se Serbia ka një nga ushtritë më të forta në Ballkan, duke vënë në dukje “numrin e madh” të tankeve që kishte marrë nga Rusia para pushtimit të Ukrainës. Ai gjithashtu tregoi se do të vazhdojë të blejë armë nga Kina dhe vende të tjera, duke përfshirë sisteme kundërajrore, avionë luftarakë dhe drone.