Connect with us

Kosova

Mediat botërore për Vuçiçin, dhe koha flori për Kosovën

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka caktuar të mërkurën e 17 dhjetorit si datë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, gjë për të cilën kanë shkruar edhe mediat botërore. Ky, kujton agjencia ‘Associated Press’, do të jetë votimi i tretë në Serbi në pothuajse katër vjet. Zgjedhjet lokale do të mbahen gjithashtu në të njëjtën ditë në disa komuna, duke përfshirë Beogradin “Data e zgjedhjeve nuk ishte befasi sepse lideri populist serb kishte bërë fushatë për javë të tëra në favor të Partisë së tij Progresive Serbe në pushtet, edhe pse zyrtarisht është larguar nga kryesimi i saj” – shkruan AP. ‘Remix news’ shkruan se lëvizja e Vuçiçit vjen një ditë pasi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen vizitoi Beogradin dhe i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të varrosin mosmarrëveshjet e tyre dhe të gjejnë një mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet e ardhshme nëse duan të konsiderohen si kandidatë seriozë për anëtarësim në BE. Besohet, shkruan ky portal, se zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilave u parapriu shpërbërja e parlamentit serb, ishin të dizenjuara për t’i dhënë hapësirë ​​Vuçiçit për t’iu qasur çështjes së Kosovës. Agjencia ‘Anatolia’ vëren se Vuçiç i shpalli zgjedhjet për 17 dhjetor dhe se ai tha se publiku duhet të jetë i bashkuar për interesat kombëtare në mes të konflikteve të ashpra globale dhe çështjeve rajonale. “Po jetojmë në kohë të vështira për mbarë botën, në një kohë sfidash globale, luftërash dhe konfliktesh, në një kohë kur është e nevojshme që të gjithë të jemi të bashkuar në luftën për ruajtjen e interesave jetike kombëtare dhe shtetërore të Republikës të Serbisë” – tha Aleksandër Vuçiç. Presidenti përmendi gjithashtu “presione të shumta”, duke përfshirë edhe nga fqinji i saj, Kosova, të cilën Serbia ende e sheh si territorin e saj. ‘Reuters’ shkruan, duke cituar ekspertë, se votimet dhe mungesa e një parlamenti funksional do t’i lejojë Vuçiçit të blejë kohë dhe të shtyjë vendimet për marrëdhëniet me Kosovën e pavarur, të cilën Serbia e sheh ende si provincën e saj jugore.

Advertisement