Kronike
Mediat italiane jehonë vrasjes së biznesmenit të tullave në Shqipëri: U qëllua për vdekje

Vrasja tragjike e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Shqipëri ka ngjallur reagime të shumta në mediat italiane, të cilat i kanë kushtuar artikuj të veçantë këtij rasti të rëndë, duke theksuar lidhjet e forta të viktimës me Shqipërinë dhe paqartësitë që rrethojnë ngjarjen.
Sipas raportimeve të publikuara nga La Repubblica, RAI News, SKY TG24, Virgilio dhe media të tjera të rëndësishme italiane, Sarchi, 44 vjeç, me origjinë nga Cunardo, në provincën e Varese, ishte rezident në Tiranë prej afro 20 vitesh dhe drejtonte kompaninë italo-shqiptare Tegola Edilcentro, e specializuar në prodhimin e tullave.
Si e raportuan mediat italiane?
La Repubblica e titullon lajmin: “Biznesmeni nga Varese, Edoardo Sarchi, u vra në Shqipëri; djali i partnerit të tij në biznes u arrestua”, duke raportuar për vrasjen dhe zhvillimet e para të hetimit.
SKY TG24 vë në dukje integrimin e plotë të Sarchit në jetën ekonomike shqiptare, duke theksuar rolin e tij si investitor dhe drejtues i një kompanie ndërtimi në Tiranë.
“Vrasja ndodhi në fshatin Salari, pranë qytetit të Tepelenës, i cili ndodhet në brendësi të Vlorës. Që nga raporti fillestar, Ambasada Italiane në Tiranë dhe Konsullata e Përgjithshme Italiane në Vlorë kanë mbetur në kontakt të ngushtë me Ministrinë Italiane të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, duke ndjekur rastin me vëmendje të lartë për të përcaktuar detajet e incidentit dhe për të ofruar të gjithë ndihmën e mundshme konsullore.” – shkruan SKY TG24.
RAI News jep detaje të vendndodhjes dhe mënyrës së vrasjes: “Trupi i gjetur mbrëmë në anë të një rruge rurale në Shqipëri është ai i një biznesmeni italian. Viktima është Edoardo Sarchi, me origjinë nga Cunardo, Varese. 44-vjeçari thuhet se u qëllua për vdekje në rrethana ende të paqarta në fshatin Salari, në periferi të Vlorës dhe jo shumë larg qytetit të Tepelenës.”
Ndërkohë, Gazeta Virgilio hedh dritë mbi ecurinë e hetimeve të autoriteteve shqiptare, duke cituar burime zyrtare.
Hetimi dhe reagimet institucionale
Menjëherë pas ngjarjes, Ambasada Italiane në Tiranë dhe Konsullata e Përgjithshme në Vlorë u vunë në kontakt me autoritetet shqiptare dhe me familjen e viktimës. Ministria e Punëve të Jashtme Italiane (Farnesina) konfirmoi përmes një deklarate zyrtare se po e ndjek rastin me “vëmendjen më të madhe”, duke garantuar mbështetje konsullore dhe bashkëpunim të plotë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Vrasja e Sarchit mbetet ende në hetim dhe motivet e ngjarjes nuk janë sqaruar zyrtarisht. Arrestimi i djalit të partnerit të tij në biznes ka hapur pistën kryesore të hetimit, ndërsa autoritetet shqiptare dhe italiane po bashkëpunojnë ngushtë për zbardhjen e plotë të rastit./

