Connect with us

Kosova

Mediumi i afërt me Vuçiç, propagandon se NATO ka rrethuar Serbinë

Mediumi serb me seli në Kosovë – Kossev, ka përgënjeshtruar lajmin viral, ku u njoftua për “pozicionimin e trupave të NATO-s” pranë Serbisë, duke lënë të kuptohet për eskalim situate.

“Urgjente! NATO po dërgon grupe luftarake pranë Serbisë! Ballkani është ngritur në këmbë, disa mijëra ushtarë janë urdhëruar të lëvizin!” – Ky ishte titulli, të cilin fillimisht e publikoi portali propagandistik i afërt me presidentin serb Aleksandër Vuçiç – ‘Informer’- e që bëri bujë në plot mediume të tjera.

Shkrime të tilla, po bëhen gjithnjë e më shumë për t’i tërhequr lexuesit që të klikojnë mbi to, dhe mbi këtë qëllim, të njëjtit harrojnë se po ngjallin panik tek publiku.

“Kur lexoni një titull si ky, dhe në një vit me lajme të shumta nga zonat e luftës dhe konfliktit, lexuesi mesatar ka shumë të ngjarë të mendojë se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur dhe se një konflikt i ri është në prag” – shkruan Kossev.

“Për të rritur ‘tirazhin’ në portale, pra sa më shumë shikime të lajmeve, portalet tabloide, duket se janë në garë për të publikuar titujt të bujshëm, në shumicën e rasteve të pasaktë, për të tërhequr lexuesit që të klikojnë mbi to” – shkruan në anën tjetër Radio Mitrovica Veriore.

“Kjo po bëhet një praktikë gjithnjë e më e zakonshme dhe autorët e atyre teksteve nuk hezitojnë të ngrenë panik, të frikësojnë apo të shkruajnë ndonjë gjë që do t’i shtynte lexuesit të besojnë se siguria e tyre mund të kërcënohet dhe që mund të çojë në konflikt” – thuhet tutje në këtë medium.

Gjithsesi, Serbia nuk përmendet në vetë tekstin e publikuar, por thuhet se në Bullgari do të ndërtohet infrastrukturë në vlerë prej gjashtë miliardë euro për qëllime të NATO-s dhe ato civile, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe ministri bullgar i Mbrojtjes, Todor Tagarev.

Tagarev tha se bëhet fjalë për rrugë, hekurudha, tubacione nafte, magazina dhe objekte akomodimi dhe theksoi se Aleanca do të vendosë grupe luftarake shumëkombëshe të brigadave prej gjithsej 5 mijë personash nga SHBA, Italia dhe pesë vende fqinje.

Bullgaria ka njëzet vjet që është anëtare e NATO-s dhe ky lajm nuk ka te beje me Serbinë.

Advertisement