Connect with us

Shkrime

Mekanizmi i Ramës, mbulo e suvato gjithçka me ngjyrë të fortë, për të mbytur atë që është reale

Nga Sonila Meço

Në këtë vend me kryeministër piktor, ku çdokush i rri pranë ndihet artist, ka zënë vend një zakon. Sa herë çarja në murin e pushtetit bëhet shumë e dukshme, dikush nis ta pikturojë murin nga e para. Jo për ta rregulluar jo, por për t’ia zhvendosur syrin shikuesit.

Sa herë del një dërrasë e kalbur në dyshemenë e konsumuar të pushtetit, nuk thirret marangozi. Përkundrazi, hapen kanatesh lloj lloj dritaresh dhe qytetarit me hir a pahir i merret vëmendja: “Mos shih vrimën në dysheme, shiko lart, atje mo atje larg, yjet!”

Nga distanca duket si art, por e parë nga afër dallohet përpjekja e drobitur për shmangie vëmendjeje. Nëse ka një art, ai është vetëm në zakonin e vjetër të pushtetit: kur skandalet zënë e fryjnë, lësho nëpër ekrane balona me panik moral, fantazi folklorike, mite të shpikura, luftëra të rreme, “kërcënime” imagjinare, thashetheme showbiz-i.
Sa më shumë gumëzhima, aq më pak dëgjohen faktet.

Mekanizmi është po ai, mbulo e suvato me gjithçka që ka ngjyrë të fortë, nga nacionalizmat e improvizuara, betejat imagjinare, historitë që shkojnë nga antikiteti tek astrologjia e tek çdo gjë që bën zhurmë mjaftueshëm për të mbytur atë që është reale.

Teknika po ajo, krijo tema nga hiçmosgjëja, që asgjë mos të quhet problem. Krijo një poezi të rreme publike, ku gjithçka bashkohet me gjithçka. Shpik një armik imagjinar, që të mos flitet për armikun real të përditshëm: keq-qeverisjen, kapjen, paaftësinë, korrupsionin sistemik.

Dhe qytetari i vendit më të korruptuar, më të varfër, i të vetmit narkoshtet rë Europë, pa sindikata, pa referendume, pa zgjedhje të lira përfundon duke diskutuar për tema që edhe Google i heq nga kërkimet për mungesë serioziteti.

E gjitha funksionon si një estradë ku artistët janë në krizë, por gjithsesi japin shfaqje çdo mbrëmje. Njëri luan rolin e patriotit, tjetri të viktimës, një i tretë të profetit, dikush të martirit.
Asnjëri rolin e përgjegjësit.

Ndërkohë, gjërat serioze, ato me shifra, firma, vula dhe pasoja trajtohen si detaje të mërzitshme, komplote provinciale, tema bajate që prishin komedinë.

Problemi është më i thjeshtë e më i qartë se vetë mekanizmi dhe teknika, që përdoren për ta mbuluar: kur diskutohet për GJITHÇKA, nuk zgjidhet ASGJË.

Në politikë, devijimi i fokusit është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë vendimmarrja.
Në Shqipëri, ky devijim ka marrë përmasa sistemi, çdo çështje e rëndësishme zëvendësohet me një debat që nuk ka lidhje me faktet që janë në tryezë.

Ky mekanizëm vihet automatikisht në lëvizje me ndihmën e mediave, portaleve, rrjeteve sociale, algoritmeve dhe një ushtrie PR-i.
Kur shfaqet një problem konkret, skandal, aferë korruptive krijohet menjëherë një temë abstrakte për identitetin, kulturën, konspiracionet, apo çështje që s’kanë efekte të matshme.
Qëllimi nuk është debati, por simetria e rreme.
Sa më shumllojshmëri temash të vendosen në publik, në media e rrjete të ndjekura, aq më lehtë relativizohen, aq më lehtë ngjajnë të krahasueshme.
Ndaj në rezultat final, ngjarjet që kanë pasoja reale barabiten me histori që s’kanë asnjë pasojë konkrete.
Kjo është formula për të neutralizuar rëndësinë e çdo skandali pushteti.

Por realiteti është i pakapur nga relativizimi, madje është tejet specifik.
Hetimet dhe denoncimet ndaj pushtetit nuk janë foklor, por procedura formale me dokumente.
Rritja e kostos në projektet publike nuk është opinion, por bilanc fiskal.
Autoritarizmi nuk është perceptim, por arkitekturë institucionale.
Emigracioni masiv nuk ndodh nga çështje kulturore, fetare, apo identitare, por nga mungesa e funksionimit të shtetit.
Kapja e institucioneve nuk është narrativë, por strukturë vendim-marrjeje e verifikueshme.

Këto nuk mund e s’ka sesi të relativizohen duke u shkartisur me tema të tjera deri showbiz-i, ashtu si bilanci financiar i një kompanie nuk barazohet dot me aftësinë për barcoleta të stafit.
Kanë natyrë, peshë dhe pasoja të ndryshme.

Pikërisht këtu qëndron e vërteta e pakundërshtueshme, se problemet nuk janë të shpërndara, por të përqendruara. Dhe ky përqendrim ka autorë, vendime, firma dhe emra.

Kur të kthjellohet ky dallim i thjeshtë, përpjekja për t’i bërë të gjitha njëlloj e humbet fuqinë, duke mbetur veç thelbi se çfarë është e matshme, është e verifikueshme dhe se çfarë është e verifikueshme ka përgjegjësi konkrete.

Koha ka një zakon tjetër, të pandryshueshëm. Gjithnjë i rikthen gjërat te pesha e tyre specifike.
Ndaj, ka një rregull të thjeshtë për të kuptuar këtë vend. Nëse debati bëhet shumë mistik, kërko faturën. Kur zë e shfaqen mite, pyet kush po përfiton.
Kur shpiket një krizë, kërko skandalin që po mbulohet. Shqiptarët nuk kanë nevojë për mitologji të reja, për heronj imagjinarë, për fantazma që s’i ka parë askush.
Kanë nevojë për rrugë, ujë, arsim, shëndetësi, drejtësi, ekonomi, liri.
Kanë nevojë për shtet.

Dhe sa kohë që dikush përpiqet t’i fusë të gjitha në një kazan gjysmë të vërtetash për t’i bërë identike, të barazvlefshme, pa dallim peshe e përgjegjësie, detyra e publikut bëhet fare e thjeshtë, elementare fare: të mos e pranojë relativizimin as si normë, as si program televiziv e as si podcast.

Advertisement