Bota
Meloni: Kurtit e Vuçiçit u kemi kërkuar zbatimin e marrëveshjeve
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka folur në lidhje me takimet që së bashku me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kanë pasur me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiç, të enjten në kyeqendrën evropiane në Belgjikë, në kuadër të samitit të liderëve evropianë. Në një prononcim para gazetarëve në margjinat e samitit të krerëve të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, kryeministrja italiane ka thënë se në takimet e ndara që kanë pasur liderët evropianë me dy udhëheqësit ballkanikë, kanë kërkuar nga të dy palët zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.
“Në takimin trilateral me Macronin dhe Scholzin ishim të zënë me bisedat rreth një tjetër skenari kritik, atë midis Serbisë dhe Kosovës e jemi duke kërkuar të gjejmë një zgjidhje, mbi bazën e një pune shumë të gjatë që është bërë kryesisht nga Italia, Gjermania, Franca dhe BE-ja. Ne kemi kërkuar nga të dy liderët që të bëjnë përparim në marrëveshjet e arritura në vitet dhe muajt e fundit”
Kurti e Vuçiç, që assesi të nxjerrin shtetet e tyre nga situata parakonfliktuale dhe qytetarët nga hija kërcënuese e përshkallëzimit të dhunës, kanë takuar veç e veç kancelarin gjerman, presidentin francez dhe kryeministren italiane, në një cikël “20 minutësh” takimesh biletarale pas “stuhisë diplomatike” të fundjavësnga Big Five. Përfaqësuesit e shteteve kryesore të BE-s kanë shoqëruar Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takime të ndara në Kosovë dhe Serbi të shtunën e 21 tetorit, në një kohë kur tensionet janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës. BE-ja nën kujdesin e SHBA-ve ka prezantuar një plan-propozim të ri për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), ndërsa Qeveria e Kosovës ka dhënë pëlqimin e saj për planin perëndimor dhe ka pranuar të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme.