Bota
Meloni, prepotente, arrogante dhe fyese
Është liderja e partisë së ekstremit të djathtë “Fratelli D’Italia”, axhenda e së cilës i ka rrënjët në euroskepticizmin dhe frenimin e emigracionit masiv.
Më 21 tetor, Giorgia Meloni dhe partnerët e saj të koalicionit, Silvio Berlusconi, lideri i “Forza Italia” dhe Matteo Salvini, kreu i partisë kundër emigracionit “Lega Nord”, u takuan me presidentin italian Sergio Mattarella në pallatin presidencial, i cili pranoi listën e ministrave të kabinetit të ardhshëm qeveritar.
Pas takimit Meloni u tha gazetarëve se koalicioni i dha presidentit emrin e saj si Kryeministre.
Gruas së pare kryeministre në Itali dhe aleatëve të saj iu duhet të përballen tani me një listë të gjatë sfidash, përfshi rritjen e çmimeve të energjisë, luftën në Ukrainë dhe një recesion të mundshëm ekonomik.
Gjithashtu, pavarësisht se siguroi shumicën në zgjedhje, blloku i krahut të djathtë tashmë përballet edhe me sfida të brendshme.
Tensionet midis dy liderëve, Meloni dhe Berlusconi, kanë dalë në plan të parë, veçanërisht pasi ky i fundit e ka quajtur kryeministren e ardhshme “prepotente, arrogante dhe fyese”, akuza që u përballën me përgjigjen e prerë “ Unë nuk shantazhohem” të Gorgia Melonit
Situata u përkeqësua pasi Berlusconi, një mik i vjetër i presidentit rus Vladimir Putin, u shpreh se ai kishte “rindezur” marrëdhënien e tij me liderin rus, me të cilin ai pranoi se kishte shkëmbyer dhurata dhe “letra shumë të përzemërta”.
Ndërsa Berlusconi i ka mohuar, zhurma që shpërtheu pas audios së publikuar ka tronditur ndjeshëm planet e qeverisë së koalicionit, veçanërisht duke pasur parasysh qëndrimin e vendosur pro-NATO-s të Melonit dhe dënimin e saj për pushtimin e Ukrainës nga Moska.