Connect with us

Bota

Meloni takon kokë më kokë Macronin, Evropa “sovrane” flitet në ajër

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka zhvilluar një takim të gjatë prej tre orësh me presidentin francez Emmanuel Macron dhe flitet se një “Evropë sovrane” është duke u hedhur si ide në ajër.

Në fakt e pranon vetë Meloni, përmes një publikimi në median e saj sociale X, ku shkroi disa detaje mbi këtë bisedë të zgjatur që ka pasur me Macron në Romë.

“Mbrëmë, në Romë, pata një takim të gjatë me Presidentin e Republikës Franceze, Emmanuel Macron, i cili ishte shumë i dobishëm për forcimin e dialogut dhe koordinimit midis Italisë dhe Francës përballë sfidave të përbashkëta në rritje. Si kombe themeluese të Bashkimit Evropian, ne synojmë të punojmë së bashku për një Evropë më sovrane, të begatë dhe të orientuar drejt paqes, të aftë për të mbrojtur qytetarët dhe interesat e saj”, përmendi Meloni rreth takimit.

Ajo shtoi se palët duken se kanë gjetur konvergjenca të forta në agjendën evropiane mbi konkurrueshmërinë, mbi thjeshtimin rregullator, mbi çështjen e investimeve publike dhe private, mbi tranzicionin energjetik me neutralitet të plotë teknologjik dhe mbi mbështetjen për sektorë strategjikë si automobila, çeliku, Inteligjenca Artificiale, energjitë e rinovueshme të dekarbonizuara, si dhe energjia bërthamore dhe hapësinore.

“Ne gjithashtu përsëritëm mbështetjen tonë të fortë për Ukrainën për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, duke promovuar njëkohësisht forcimin e mbrojtjes evropiane”, përshkroi më tej Meloni.

Takimi sipas saj i lejoi gjithashtu palët të adresonin çështje thelbësore të sigurisë, nga Lindja e Mesme në Libi, dhe të koordinonim qëndrimet mbi marrëdhëniet transatlantike dhe sigurinë ekonomike të BE-së.

“Më në fund ramë dakord që samiti i ardhshëm dypalësh do të mbahet në Francë në fillim të vitit 2026, për të zhvilluar më tej bashkëpunimin tashmë të ngushtë midis dy kombeve tona”, përmbyll liderja italiane.

Advertisement