Connect with us

Rajon

Meloni vlerëson se Vuçiçi do vazhdojë konstruktivitetin në dialog me Kosovën

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në një konferencë për shtyp pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se beson që Serbia do të vazhdojë të ketë një “qasje konstruktive” ndaj procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Meloni ka qëndruar të dielën për vizitë në Beograd, ku përveç bashkëpunimit dypalësh në fusha specifike, ka diskutuar edhe për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Ajo ka theksuar se Italia e mbështet procesin e normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa ka kërkuar zbatimin e detyrimeve që palët kanë marrë përsipër në kuadër të procesit të dialogut.

Gjithashtu, shefja e ekzekutivit italian ka njoftuar se në këtë takim një rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa ka shtuar se Italia mbështet rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane, duke ofruar edhe ndihmë në përmbushjen e kritereve të Komisionit Evropian.

“Për ne është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor t’i bashkohet familjes evropiane. Italia do të jetë krah Serbisë. E di që Serbia do të vazhdojë të ketë një qasje konstruktive ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Italia e mbështet fuqimisht këtë proces dhe ne po punojmë që të zbatohen të gjitha detyrimet që palët kanë marrë përsipër” – deklaroi kryeministrja italiane.

Vizita e Melonit në Serbi është e para qëkurse ajo ka marrë drejtimin e Qeverisë së Italisë, megjithëse nuk është hera e parë që takon presidentin serb. Vizita e Melonit vjen në dritën e përpjekjeve të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Implementimit për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjithashtu, vizita e kryeministres italiane vjen rreth 1 muaj pas ciklit të takimeve në Bruksel të Belgjikës, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, u takuan veç e veç me krerët e shteteve kryesore evropiane pas “stuhisë diplomatike” të emisarëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në përpjekje për ripërtëritjen e procesit të dialogut.

Meloni është angazhuar drejtpërdrejtë në procesin e dialogut, posaçërisht pas ngjarjeve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Ajo, sëbashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, ka prezantur një draft-statut për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Advertisement