Bota
Mendon për Kievin si Millosheviçi për Kosovën
Ish- kryeministri britanik Boris Johnson krahasoi presidentin rus Vladimir Putin me presidentin e ish-Jugosllavisë, Slobodan Millosheviç.
Në një intervistë për Skynews, Johnson tha se Putini bëri një “gabim katastrofik” kur vendosi të sulmonte Ukrainën dhe theksoi se eseja e botuar prej tij vitin e kaluar mbi Ukrainën është njësoj si ajo e Millosheviçot për Kosovën.
“Të gjithë ne në qeverinë britanike lexuam esenë e tij të çmendur mbi Ukrainën, të cilën ai e botoi verën e kaluar. Ai e gjykoi në thelb Ukrainën gabim. Ishte sikur të lexoja Sllobodan Millosheviçin për Kosovën,” – tha Johnson.
Johnson shtoi se ashtu si Millosheviçi që besonte se Kosova ishte pjesë integrale e Serbisë, edhe Putin mendon të njëjtën gjë për Ukrainën.
“Millosheviçi besonte se Kosova është pjesë integrale e Serbisë së madhe dhe atdhe shpirtëror i popullit serb. Mendoj se Putini mendon të njëjtën gjë për Kievin dhe origjinën e besimit ortodoks. Ky është një gabim total. Ukraina është një kulturë e lirë dhe e pavarur evropiane me identitetin, ambiciet dhe fatin e saj. Ai bëri një gabim thelbësor “– tha ish-kryeministri britanik.
Ai gjithashtu tha se nuk mendon se Putini do të arrijë në armë bërthamore sepse kjo do të shkaktonte një reagim histerik si nga aleatët ashtu edhe nga kundërshtarët e Rusisë. Ai beson se kjo do ta largonte vendin e tij nga klubi i kombeve të qytetëruara dhe se do të ishte një fatkeqësi e plotë për Rusinë.