Connect with us

Shkrime

Mero Baze: Kurti ka shkëlqyer me mungesën e tij në Tiranë, është më afër me Greqinë se me Shqipërinë

Gazetari shqiptar Mero Baze ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mungesën e tij në Samitin e Tiranës.

Ai është tallur me kryeministrin kosovar, duke thënë se ka shkëlqyer me mungesën e tij në këtë samit.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Baze ka thënë se në këtë samit nuk ka marrë pjesë as kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Në samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas tij, nuk kanë marrë pjesë dy kryeministrat që kanë probleme me Shqipërinë.

Ai ka treguar për problemet që kanë me Shqipërinë dy të munguarit e samitit. Me mungesën e tij, ka thënë ai, Kurti ka treguar se është më afër me Greqinë se sa me Shqipërinë.

Duke folur për raportet e Kurtit me Ramën, Baze ka thënë se kryeministri i Kosovës është zemëruar me Shqipërinë për faktin që ajo nuk ka probleme me Perëndimin.

Nacionale: Z. Baze, në Samitin e Tiranës nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Si e ke parë mungesën e tij fizike në këtë samit, sepse megjithatë ai mori pjesë në mënyrë virtuale?

Baze: Nuk mungoi vetëm Albin Kurti. Mungoi dhe kryeministri Micotaqis. Janë dy udhëheqës të Ballkanit që janë të zemëruar me Shqipërinë. Micotaqis është i zemëruar se një kukull politike e Agimit të Art në Shqipëri, është kapur duke vjedhur vota dhe Greqia nuk arriti dot të bind SHBA-në dhe Evropën se drejtësia në Shqipëri duhet të ndikohet nga kryeministri i Greqisë. Albin Kurti është i zemëruar pse BE dhe rajoni janë dakord me politikën e Shqipërisë dhe nuk janë dakord me politikën e tij. Në një farë mënyre është zemëruar me Shqipërinë se ajo nuk ka probleme. E veçanta është që të dy të munguarit e Samitit të Tiranës i kanë punët mirë me njëri tjetrin. Pra, aktualisht Albin Kurti është më afër me Greqinë se sa me Shqipërinë.

Nacionale: Z. Kurti mungesën e tij e arsyetoi duke thënë se vizita e tij në Britani dhe Irlandë ishte paraparë vitin e kaluar. Besoni në këtë arsyetim apo mendoni se mungesa ishte e qëllimshme?

Baze: Unë mendoj se Albin Kurti vuan nga mania se duhet të jetë në qendër të vëmendjes aty ku shkon. Në këtë rast e siguroj se ai ka shkëlqyer me mungesën e tij në Tiranë.

Nacionale: Kjo mungesë a mund të konsiderohet si një goditje diplomatike që Kurti ia bëri Ramës?

Baze: Edi Rama nuk kishte thirrur kryetarët e komunave shqiptare në rajon apo kryeministrat shqiptarë të rajonit që ta dëmtonte mungesa e Albin Kurtit. Kishte thirrur gjithë lidershipin e Evropës dhe i erdhën. Mungesa e Albin Kurtit është refuzim i pranisë së Perëndimit në Shqipëri.

Nacionale: Z. Baze ju i njihni mirë të dy kryeministrat. Çka nuk po shkon në raportet në mes tyre?

Baze: Mendoj se nuk ka ndonjë dramë mes tyre. Ka një protagonizëm të panevojshëm të Albin Kurtit për të sunduar botën shqiptare. Lehtësia me të cilën ai sundon në Kosovë pasi rivalët e tij kanë shkuar në burg, i ka krijuar idenë se dhe liderët e tjerë të botës shqiptare duhet të burgosen ose hiqen nga skena që të ia lënë bosh atij. Është thjeshtë një krizë personaliteti e tij. Mendoj se po ta marrë më qetë do ti duket më e bukur hapësira shqiptare që tani duket se e urren se po e refuzon si lider “mbarëkombëtar”.

Nacionale: Këto raporte të kryeministrave a mund t`i dëmtojnë interesat e Kosovës dhe Shqipërisë?

Baze: Jo nuk mendoj se dëmtohen interesat e Shqipërisë, pasi ato nuk janë të lidhura me fatin e Albin Kurtit. Dhe interesat e Kosovës nuk dëmtohen aq shumë nëse ai i kundërvihet Shqipërisë. Interesat e Kosovës dëmtohen kur ai I kundërvihet politikës perëndimore. Dhe ai e urren Shqipërinë vetëm si partnere të perëndimit. Ky është problem i madh

Nacionale: Duket se raportet e Ramës me presidenten Osmani janë normalizuar. A mund të presin që edhe raportet Rama – Kurti të përmirësohen?

Baze: Edi Rama nuk hyn tek njerëzit që kërkon armiq, aq më tepër mes shqiptarëve. Ai kërkon partnerë. Natyrisht ka një stil paksa problematik dhe aspak konkurrues sa i takon raporteve personale që krijon me liderë botërorë dhe shqiptarë. Atë mund ta bësh mik shumë të mirë por se bën dot kurrë armik të dobishëm. Nuk të lë ta bësh armik që të të shërbej si i tillë. Të shërben vetëm si mik. Mendoj se Vjosa Osmani ka mbajtur një qëndrim shumë serioz ndaj provokimeve ruse rreth problemit të Ukrainës në Ballkan dhe nuk ka rënë pre e provokimeve të propagandës ruse që tenton të kundërvër çështjen e Kosovës kundër Ukrainës. Është treguar një zonjë e përgjegjshme në lartësinë e detyrës që ka. Ajo nuk është bërë mike me Edi Ramën, dhe as ka qenë armike e tij. Thjesht është ulur me këmbë në tokë për shkak të përgjegjësisë që ka si presidente e Kosovës. Ajo thjeshtë nuk e shikon problem faktin që Shqipëria ka mbështetjen e Perëndimit por e shikon si shans për Kosovën. Dhe kjo është diferencë e madhe ideologjike dhe parimore mes saj dhe Albin Kurtit që do ti çoj diku në përplasje nëse Albin Kurti nuk ndryshon qasje ndaj komshillëkut të tij ndaj Perëndimit.

Advertisement