Bota
‘Merreni, keni rritur një përbindësh dhe një vrasës’
Një grua nga Petersburgu i Rusisë është vendosur në arrest shtëpiak pasi ka lënë një shënim në varret e Maria dhe Vladimir Putin, prindërit e presidentit rus Vladimir Putin.
Shënimi u adresohet “prindërve të një vrasësi serik”, dhe u kërkon atyre “ta marrin me vete”.
“Po na shkakton kaq shumë dhimbje dhe mjerim”.
Djali i saj thotë se dënimi për çfarë ka bërë është i ashpër, por “jo edhe aq i keq”, kur merret parasysh situata aktuale në Rusi.
Një gjykatë qarku në Petersburg e gjeti fajtore 60 vjeçaren, Irina Tsybaneva, dhe e dënoi me arrest shtëpie për veprën “e dëmtimit të varreve me mesazhe armiqësore politike dhe ideologjike”.
Dënimi maksimal për këtë vepër shkon deri në pesë vjet.
Tsybaneva e la shënimin në varrezat e Serafimovskoye-s me 6 tetor.
Shënimi thoshte: “Prindër të një vrasësi serik, merreni, kemi kaq shumë dhimbje dhe trishtim prej tij, e gjithë bota lutet për vdekjen e tij. Vdekje Putin-it, ju keni rritur një përbindësh dhe një vrasës”.
Policia e gjeti pas katër ditësh kush qëndronte pas shënimit. Ajo ishte hetuar dhe lokalizuar nga kamerat e varrezave. Shënimin e kishte pikasur rojtari i varrezave dhe kishte lajmëruar policinë.
Policia e kishte dërguar në paraburgim fillimisht, ka treguar për Mediazona, djali i saj, Maxim.
“E kishin mbyllur për një kohë të gjatë”, tha ai.
Atë natë vonë ajo e kishte thirrur djalin e saj dhe i kishte treguar se policia do ta kontrollojë banesën e tyre. Më vonë policia e kishte vendosur në një qendër burgimi.
Tsybaneva menjëherë kishte pranuar se është ajo autorja e shënimit. Policia megjithatë ndërmori një test të ADN-së, që tregoi gjurmët e saj në letër.
Një ekspert për shkrim dore konfirmoi se ajo e ka shkruar letrën. Ndërsa një ekzaminim nga një gjuhëtar dha konfirmimin se shënimi përmban “paraqitje negative të presidentit rus Vladimir Putin”.
Mbetet mister akoma se si ajo arriti e pavërejtur te varret e prindërve të Putin-it, meqë qysh nga shtatori ishte shtuar siguria rreth tyre.
Kjo pasi aktivistja Anastasia Filippova kishte lënë një shënim po ashtu.
Edhe ajo iu drejtohej prindërve të Putin-it.
“Të dashur prindër, djali juaj po vepron me mos respekt. Ai ka ikur nga orët e historisë, rrihet me shokë të klasës, dhe kërcënon që do ta hedhë në erë gjithë shkollën. Bëni diçka”.
Sipas djalit të tashmë dënuarës, Maxim-it, me siguri nëna e tij u fut te varret në kohën kur rojat ishin të hutuar.
Tsybanev ka shpjeguar verimin e saj para gjykatës.
“Isha duke shikuar televizorin, dhe aty pash ca lajme që më bënë ta kuptoj se e gjitha është shumë e frikshme, gjithçka është bërë e zymtë, shumë njerëz kanë vdekur”.
Zyra e Prokurorit kërkoi që ajo të dënohet dhe u vendos të marr arrest shtëpiak, por gjithashtu i janë ndaluar përdorimi i internetit, telefonit dhe e-mailit.
Djali saj, duke parë se çfarë po ndodhë këto ditë në Rusi, shprehet i kënaqur që nëna e tij s’u nda më keq.