Aktualitet
Merrte ryshfet për pronat, lihet në burg Ilir Kapedani
GJKKO ka caktuar arrest me burg për ish-inspektorin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave Ilir Kapedani, i arrestuar për korrupsion. Ai doli këtë të mërkurë para gjykatës së Posaçme ku mohoi akuzat e bëra ndaj tij. Nga ana tjetër, SPAK pretendon se Kapedani është i përfshirë në të paktën 14 raste korruptive ku u premtonte personave të caktuar se do u kthente pronat të cilat ata pretendonin se u përkisnin, në këmbim të shumave të parave.
Personat e tjerë të përfshirë pretendojnë se janë mashtruar nga Kapedani, duke i dhënë shuma parash, por pa iu zgjidhur çështjet.
Ndërkohë dy shtetas janë lënë në masën arrest shtëpie dhe 6 të tjerë me detyrim për tu paraqitur, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Vetë Kapedani akuzohet për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas prokurorise shumat qe u merreshin qytetareve varionin nga 30 mije ne 300 mije lekë.