Kosova
Mes kaosit dhe paqes, Biserko: Pa SHBA, s’pres marrëveshje Kosovë – Serbi
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko, nuk pret marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pa prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në diskutimin me temën “E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Mundësitë për dinamika të reja dhe ndikimi i zgjedhjeve në BE dhe SHBA” që po mbahet në Prishtinë, Biserko ka kerkuar nga Bashkimi Evropian të ketë qasje ndryshe ndaj Serbisë.
“Deri tani kjo qasje ka qenë shumë paqësore, por nuk po shoh ndonjë ndryshim persa i përket integrimit në BE” – ka deklaruar Biserko.
Sipas saj, komuniteti serb në veri është lënë me besimin se ndarja e veriut është e mundur, dhe prandaj tani “është e vështirë t’u qasesh”.
Biserko ka thënë se shoqëria civile duhet të mendojë për një strategji që gradualisht t’i afrohet komunitetit serb me qëllim që ta ndajë nga Serbia.
“Duhet të ketë një fond ndërkombëtar ndoshta që do të ishte një instrument për të tërhequr integrimin e komunitetit serb në Kosovë dhe hapjen e mundësive ekonomike me qëllimin e shkëputjes së varjes së tyre nga Beogradi” – ka deklaruar Biserko duke shtuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të sillet në një nivel ku nuk do të ketë ndarje etnike.
“Unë do ta kundërshtoja argumentin e Serbisë që ka prioritet Asociacionin në dialog. Ndasia etnike ka dëshmuar mosfunksionalitet pershembull në Bosnje” – ka theksuar Sonja Biserko duke shpresuar se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ndodhë para vendimit për formimin e Asociacionit, pasi “kjo do të jetë edhe një garanci”.