Shkrime
Mesazhi i Biden që duhet të tmerrojë çdo amerikan
Nga Maureen Callahan, Daily Mail
Ç’fund i turpshëm i një presidence të turpshme!
Në vend që të largohej me dinjitet nga kjo garë presidenciale, në vend që t’u tregonte amerikanëve të shumëvuajtur respektin që meritojnë, presidenti Joe Biden deklaroi turravrap se tërhiqet – në rrjetet sociale.
Joe Biden na injoroi!
Nuk kemi të bëjmë me Lyndon B. Johnson-in (LBJ) e vitit 1968. Në fakt, kjo tërheqje – në ton, në përmbajtje, turp e hidhërim – nuk të kujton askënd tjetër përveç dorëheqjes së Richard Nixon-it.
Biden ka poshtëruar veten, kombin, elitat demokrate, megadonatorët dhe mundësitë e mediave liberale që kaluan vite të tëra duke e mbuluar.
Dhe në fillim as që mbështeti zëvendëspresidenten e tij! Dikujt duhej ta zgjidhte situatën në X me një postim të nxituar të mëpasshëm për mbështetjen e Kamalës.
“Besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem”, thuhej në letrën e tij. Më në fund!
Dr. Jill duhet të ketë marrë qetësues të fortë.
Llogaria e saj personale në X, deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, ka ende mbishkrimin: “Le të përfundojmë punën”. Ajo mundi vetëm të ripostonte letrën e burrit të saj pa asnjë vërejtje të saj, thjesht një emoji me zemër të kuqe.
Qëndroni me klas, Jill dhe Joe.
Aq befas u bë njoftimi i kësaj të diele pasdite saqë të bën të pyesësh veten nëse është postuar para se Biden të ndryshonte mendje.
Para se Hunter të mund të fluturonte nga shtëpia e tij në Malibu. Para se Barack Obama të detyrohej të jepte goditjen fatale.
Njoftimet e këtyre përmasave zakonisht parashikohen me një paralajmërim për mediat. Njoftimet e hershme janë se personeli i lartë i shtabit elektoral të Biden-it nuk e dinte për letrën. Vetëm një pjese të vogël iu tha një minutë para se dikush të shtypte butonin “publiko”.
Kjo ngre më shumë pyetje.
Si për shembull: Kush e ka shkruar? Kur është hartuar? Ishte thjesht vendimi i tij, apo e detyruan?
Pse Biden-i, si LBJ para tij, nuk e shpalli vendimin e tij monumental për t’u dorëzuar gjatë një fjalimi televiziv në primetime nga Zyra Ovale? A është ai kaq i pamundur – i paaftë për të lexuar fjalimet e përgatitura nga një teleprompter?
Kush e drejton këtë vend?
Kjo, realisht, është e vetmja pyetje që ka rëndësi.
Megjithatë, në këtë letër standarde, tërësisht vetëlavdëruese, në të cilën Biden pretendon se ka arritur atë që bëri FDR me ekonominë amerikane dhe pohon se e ka lënë vendin në gjendje më të mirë sesa e gjeti – “Amerika nuk ka qenë kurrë më e pozicionuar për të udhëhequr se sot” – ai thotë se do të kryejë pjesën tjetër të mandatit të tij.
Po, fokusi i Biden-it – diçka që ai e ka me hope ora 10 e mëngjesit deri në 4 pasdites – tani është “përmbushja e detyrave të mia si president” deri në janar.
Lexojeni këtë, miqtë e mi, me një pëshpëritje të ngjirur të Joe Biden-it: Ai nuk mund ta bëjë.
Ky njeri nuk mund të qëndrojë në punën më të rëndësishme në planet. Ai nuk mund të ketë kodet bërthamore. Duhet të japë dorëheqjen menjëherë, t’i japë çelësat Kamalës e të përgatitet për atë që duhet të jetë një hetim i thelluar për fshehjen në lidhje me shëndetin e tij dhe rënien kognitive.
Turp për Obamat, Klintonët, Nansi Pelosin dhe çdo ligjvënës që e dinte të vërtetën dhe heshti.
Turp për çdo gazetar që u përball me presidentin dhe nuk pranoi të publikonte skandalin më të madh politik që nga Watergate.
Dhe turp për demokratët nëse përpiqen ta mbajnë Joe-në në Zyrën Ovale. Ai nuk duhet të jetë atje as një ditë më shumë. Kush ndër mediat e Shtëpisë së Bardhë do të përballet më në fund me këtë administratë të korruptuar?
Nuk do të jenë idiotët e dobishëm në mediat liberale si Van Jones, i cili doli në CNN të dielën pasdite për të folur për “nderin” e Biden-it që u tërhoq.
Kolonat e opinioneve të New York Times me siguri janë në gatishmëri prej javësh tashmë:
“Biden bëri një zgjedhje të guximshme.”
“Ajo që sapo bëri Joe Biden është absolutisht e jashtëzakonshme.”
“Shkalla dhe ndikimi i sakrificës së Biden-it”.
Obama, Bruti personal i Biden-it: një “patriot i kalibrit më të lartë”.
Kjo nuk ishte kurrë për Joe Biden-in. Askujt nuk i intereson atij nëse i lëndohen ndjenjat. Kjo ka të bëjë me sigurinë e këtij vendi, të cilin Biden-i – në megalomaninë dhe lakminë e tij – e ka komprometuar.
Ndaj, ju lutemi: na kurseni.
Në fund të kësaj letre të turpshme, Biden na thotë me përbuzje se “thjesht duhet të kujtojmë se jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
E dimë, Joe. E dimë.
“Kujtojmë” është goxha zgjedhje fjale. Në fund të fundit: i vetmi person që duhet të kujtojë se, po, ne jemi Amerika, një demokraci që zgjedh liderët tanë, jo qeveritë në hije, është presidenti – hëpërhë – Biden.