Connect with us

Rajon

Mesazhi i dyfishtë austriak për Beogradin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur për një takim nga presidenti austriak në Vjenë, Aleksandër Van der Bellen.

Dy homologët kanë diskutuar mbi sfidat aktuale, ndërkohë që presidenti austriak ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për integrim në BE, përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

 

Ndërkohë që presidenti austriak priti në takim Osmanin në Vjenë, kancelari Karl Nehammer, që ka në dorë frerët e pushtetit në Austri, ka qëndruar sot në Beograd.

Ata janë pajtuar që t’i trajtojnë migrantët ilegalë në mënyrë të koordinuar.

“Përderisa s’ka një zgjidhje efikase në luftën kundër migrimit ilegal, kontrabandës dhe trafikimit të njerëzve në nivel evropian, partnerë të fuqishëm janë të nevojshëm. Në këtë problematikë, bashkëpunimi me Serbinë dhe Hungarinë është jashtëzakonisht i nevojshëm”, ka shkruar Nehammer.

Ndërkaq, Presidentja Osmani që qëndroi në Vjenë, ka thënë se me presidentin Van der Bellen, diskutuan për partneritet strategjik mes dy vendeve.

“Potencuam vendosmërinë e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe koordinimin, duke kontribuar bashkërisht për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në këtë kohë kritike për Evropën.

Presidentin Van der Bellen e urova për rizgjedhjen e tij në krye të shtetit dhe shpreha vendosmërinë tonë të punojmë drejt hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Austrisë. Jemi mirënjohës për përkrahjen e palëkundur të Austrisë për rrugën euroatlantike të vendit tonë”, ka shkruar ajo.

Advertisement