Connect with us

Shkrime

Mesazhi i Escobar e ‘Dosja Britanike’, Berisha-Meta jo më deputetë?!

Nga Jakin Marena

Opozita vijon të jetë e ndarë në disa pjesë, si pasojë e situatës kaotike në të cilën gjendet PD, partia më e madhe opozitare në vend.

Themi se gjithçka vërtitet rreth PD, sepse partitë e tjera, të ‘vjetra’ apo të reja s’kanë asnjë peshë specifike politike që mund të sjellin përmbysje elektorale dhe për pasojë rrotacion pushteti, i cili me shumë gjasa do të vijojë të jetë në dorë të PS dhe për shumë mandate.

Demokratët janë në dilema të mëdha, dhe ku për shkak sentimenti apo dhe ‘genin’ specifik të shqiptarit, për t’u atashuar rreth më të fortit, më shumë janë të grumbulluar rreth Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.

Ndonëse janë pa asnjë shpresë për të ardhmen me një lider si Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania e Madhe, dhe i trajtuar si i tillë dhe nga vendet anëtare të BE ose jo, përfshirë dhe vendet e rajonit, me Kosovën në përbërje, ndonëse nën arrest shtëpiak për korrupsion e dosje të tjera si “Gërdeci”, “21 janari” dhe afera CEZ-DIA në ngarkim të tij ku më shumë dhe ku më pak, sërish demokratët që janë mbledhur rreth tij shpresojnë te ndonjë ‘tekë’ e fatit, ndërsa pjesa që i qëndron më afër, nuk kanë nga shkojnë, sepse kanë përfituar nga pushteti i tij.

Kalojnë nëpër mendje ardhjen në pushtet për herë të dytë më 2005 me votë, falë makinacioneve dhe përçarjes së PS që udhëhiqej nga Fatos Nano, teksa tetë vite më parë, më 1997, Berisha ishte hequr nga pushteti me pushkë, dhe shpresojnë se mund të përsëritet ky rast fatlum.

Për hir të së vërtetës lumi nuk lëviz dy herë në të njejtat brigje, sa herë që fryhet nga shirat por gjen rrugën më të shkurtër për t’u derdhur në det, por ama demokratët vazhdojnë shpresojnë me sytë ‘nga qielli’ dhe herë dhe të drejtuar nga kati i tetë i pallatit ku flet përnatë Berisha.

Gjithsesi janë të pashpresë për të ardhmen, dhe një grup më i paktët, sipas parimit të enëve kumunikuese lëvizin herë në krahun e PD zyrtare të udhëhequr nga Lulzim Basha, ‘birit plangprishës’ politik të Berishës, e herë tek Rithemelimi i udhëhequr nga ‘ati’ i tyre shpirtëror.

Në fund të herës demokratët kanë hyrë në vitin e ri zgjedhor, pa asnjë shpresë për të ardhur në pushtet, teksa po mbushin 12 vite në opozitë, dhe shumë prej tyre besojnë se PS dhe Edi Rama, kanë tërë mundësinë e Zotit për të qeverisur dhe mandate të tjerë, sa kohë që PD është në këtë shkallë degradimi politik. Por dhe në një krizë të fortë lidershipi.

Zhgënjimi shtohet akoma më tepër dhe për faktin se Berisha është i mbyllur në pallatin e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, me vendim gjykate nën arrest shtëpiak dhe vetëm Zoti e di se si do të dalë në fund të herës përballë akuzave të rënda që janë në ngarkim të tij, e që SPAK, sado ta ketë marrë me nge këtë punën e Berishës, një ditë do të duhet që dhe dosjeve të rënda që përmendëm më sipër, t’u vërë nga një emër sipër dhe për pasojë të thotë dhe përgjegjësin kryesor për ta përballur me akuzat.

Njëherësh, Rithemelimi është një grupim politik në të ‘zezë’, pasi s’njihet ligjërisht dhe sa herë që partitë thirren nën ‘shërbim’, pra për t’u ballafaquar me votën e shqiptarëve, ka qënë dhe do të jetë i detyruar që kandidatët e vet t’i regjistrojë në emër të Partisë së Lirisë së Ilir Metës, apo të ndonjë partie tjetër fantazmë me të cilën ka afri, nëse Meta tregon ‘oreks’ të madh politik.

Por dhe sikur Berisha të tërhiqet në këtë moment nga drejtimi i Rithemelimit për t’u marrë me punët e e veta në përballjen e rëndë dhe familjarisht më drejtësinë, gjasat janë të sigurta se sërish një ‘non grata’ do ta udhëheqë këtë grupim politik.

E pranoi vetë një natë më parë Argita Berisha Malltezi në një emision televiziv, se drejtimi i Rithemelimit nuk do të dalë jashtë familjes Berisha. Pra, në mungesë të të atit Argita do të marrë drejtimin e Rithemelimit, dhe kjo është e sigurtë. E kemi parë se pas të gjitha protestave dhe tek ‘Rrugica e Salës’ e para bashkisë, këto të fundit të dhunshme dhe me molotov, qëndron ‘dora’ e Argita Malltezit Berisha, një udhëheqëse në prapaskenë e këtij grupimi politik.

Nuk ka asgjë te keqe, kur e pranon dhe vetë. Madje dhe kur e bën të sigurtë ambicien e saj për të kapur drejtimin e Rithemelimit, pasi ka qënë dhe është pronë e Berishajve që në krye të herës, sepse si të tillë e ka trajtuar përmbi 30 e kusur vite në pushtet apo në opozitë.

E themi këtë dhe për faktin se për Berishën do dhe pak ditë që të skadojë afati 6 mujor ku ai do të humbasë mandatin e deputetit. Pasi s’ka asnjë gjasë të dalë dhe për shumë kohë nga arresti shtëpiak. Ndonëse nuk mungojnë zërat nga korridoret e Rithemelimit, ndoshta të hedhura dhe për konsum politik, që në ‘finishin’ e skadimit të afatit për djegien e mandatit të deputetit, Berisha do të bëjë një ‘kolpo’ politike të ngjashme me atë të 8 janarit kur sulmoi selinë e PD buzë Lanës, dhe do të kërkojë të jetë prezent me forcë në një seancë parlamentare. Megjithëse do të duhet të llogaritet si prezencë, dhe kjo bëhet nga administrata e Kuvendit. Por kjo do të kishte një kosto të lartë politike, dhe ata që e udhëzojnë mund ta groposin për të dytën herë, tashmë tamam, pasi mund t’i rezervojë arrestin me burg në qeli kësaj radhe, për shkelje të vendimit të Gjykatës dhe dhunë.

Por Berisha nuk ka asnjë shans që të jetë deputet në legjislaturën e re, të dalë pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Pasi duke qënë ose nën arrest shtëpiak, ose në qeli, pengesat mund të fillojnë që në KQZ dhe përfundojnë në Komisionin e Rregullores e Mandateve, që mund të sjellin bllokimin e dhënies së mandatit të ri të deputetit. Në mos dekriminalizimi gjendja e arrestit do të jetë penguese që Berisha të mos hyjë në Parlament si deputet.

Rithemelimi me kryetarin nën arrest shtëpiak, pa mandat deputeti dhe të ‘prekshëm’ nga drejtësia tashmë pasi është pa imunitet, do të jetë si një qenie pa kokë që lëviz në kaos dhe pa orientim.

As ngjitja e Argitës në krye të Rithemelimit nuk zgjidh punë. Përkundrazi e zhyt më tepër këtë grupim politik në greminë. Kjo ndodh për shkak se Argita si tërë familja e saj është shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Ka dhe bashkëshortin Jamarbër Malltezi në arrest shtëpiak për pastrim parash dhe përfitime nga vjehrri ish kryeministër Sali Berisha, me ngritjen e kullave shumëkatëshe dhe me vlera të forta monetare prej 5.4 milionë euro. Të pajustifikuara këto sipas drejtësisë.

Nëse Berisha, për shkak dhe të moshës biologjike pasi është 80 vjeçar, mund të jepte shpresa për Rithemelimin se do çlirohej një ditë nga lideri ‘non grata’ dhe nën arrest për korrupsion, marrja e drejtimit nga Argita vajza e tij, i humbet të gjitha këto shpresa për 20 vitet e ardhshme sëpaku, pasi mosha e saj është e re dhe ambicia e saj është e madhe për të mos e dorëzuar vetë lidershipin e Rithemelimit. Ia ka shuar shpresat dhe Gaz Bardhit e grupit të tij, pasi pikërisht për të trashëguar Rithemelimin nga Berisha në largim ka bërë tërë ato ‘pirueta’ duke ikur nga PD e Bashës dhe duke u rikthyer tek ‘armiku’ Berisha.

Por dhe tek aleati më i mundshëm, Ilir Meta kryetar i Partisë së Lirisë, situata nuk është aspak e qetë. Kjo duket hapur dhe nga luhatjet e humorit të Metës, i cili po përpiqet me të gjitha mënyrat që të jetë ‘mbret’ i rrjeteve sociale, me deklaratat që bën, mënyrën se si i qaset publikut, herë duke udhëtuar nëpër male, herë duke u kacavjerrur nëpër platforma metalike, herë në ambiente të mbyllura në palestra me veglat e forcës në dorë. Pa përjashtuar këtu qasjen sportive si tifoz i fortë i Celtic-ut, nën dëshirën e fortë për të imituar këmbënguljen proverbiale të malësorëve skocezë.

Dhe Meta ka dosje të hapura në SPAK, duke filluar nga verifikimi i pasurisë, lobimi në SHBA dhe ndërhyrjet estetike të tij dhe bashkësortes Monika Kryemadhi, por dhe për aferën CEZ-DIA e akuza të tjera të forta, të cilat do të duhet t’i vertetojë. Sepse nuk mund t’ia lërë të gjitha në kurriz bashkëshortes Monika, dhe për çështje burrërie sëpaku. Këtyre akuzave u qëndron afër dhe ajo që është bërë nga ana e Filip Talos si spiun i Sgurimit të Shtetit, e ku Autoriteti i Dosjeve e ka dhënë verdiktin e vet: Ilir Metaj ka spiunuar tek Sigurimi i Shtetit kur ka qënë student.

Meta ka hapur gjyq dhe kërkon të vërtetojë se është një adash i tij ai që i bëri gjëmën Talos. Hetimi ka nisur, Prokuroria e Tiranës thirri Talon, i cili u qëndron deklaratave që ka thënë në Autoritetin e Dosjeve dhe në ambasadë. Nuk dimë cilën deklaratë të marrim për bazë, atë që ka bërë në fillim apo atë që e bëri në atë version, por të ndryshuar. Koha do ta vertetojë. Në fund të herës ajo që dimë është se dhe PL rrezikon të jetë në Parlament, pa Metën në radhët e veta si deputet, pasi kreu i kësaj partie, në mos nga njëra akuza në tjetrën do ngecë e nuk e shkel derën e Parlamentit si deputet me mandat të certifikuar.

Ky është problemi për opozitën kryesore në vend, pasi dy grupimet më të mëdha politike, mund të prezantohen pas vitit 2025 me kryetarë ‘non grata’ në Parlament, pa asnjë mundësi që të shkelin në derën e Kuvendit. Dhe kjo ndikon fort tek mbështetësit e tyre.

Dhe një shpresë sado të vagët që ka Rithemelimi tek vendimi i Apelit më 11 qershor për çështjen e vulës dhe logos së PD, shanset më të mëdha janë që kjo mundësi t’i jepet Lulzim Bashës dhe PD zyrtare. Për të qënë ata posedues të vulës dhe logos së PD e për ta lënë sërish Rithemelimin në të ‘zezë’. Pra jashtë listës së partive politike të regjistruar ligjërisht.

Pasi pikërisht në ‘metrat’ e fundit të rrugës drejt zgjidhjes së çështjes së kujt i takon vula e logo e PD, Berishës apo Bashës, vjen dhe një mesazh, le ta quajmë i ‘koduar’, i të dërguarit special të SHBA për Ballkanin Escobar të hënën, i cili foli posaçërisht për PD, jo për Rithemilimin. Dhe për PD me vulë dhe logo të saj, pra kush do të quhet PD pas 11 qershorit, me sa duket ishte fjala, dhe se rreth kujt duhet të bashkohen të demokratët, ku dukshëm kiy emër nuk është Berisha.

Escobar, mes të tjerave tha se ‘…më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”. Vetëm emrin nuk i ka vënë Berishës, me sa duket është një zgjedhje e zyrtarëve amerikanë për të mos i përmendur as emrin njeriut që e kanë shpallur ‘non grata’ për korrupsion madhor, minim të demokracisë si dhe shantazhim të drejtësisë, Sali Berisha.

Mesazhi amerikan me sa duket është i qartë, PD duhet të jetë një forcë politike që të mos ketë në përbërje të saj njerëz që na kujtojnë kohët e këqija të viteve ’90, pra pa emrin Berisha në krye të saj. Njëherësh ky mesazh shkon indirekt dhe në drejtim të zgjidhjes së çështjes së vulës, e cila duhet të zgjidhet me drejtësi dhe të mos merret shembulli i gjyqtarit Zhukri. Tashmë Zhukri është jashtë sistemit të drejtësisë për të gjitha shkeljet e veta që ia konstatoi Vettingu.

Ndërkohë që vula me shumë gjasa mund të qëndrojë në duart e PD zyrtare, drejtimi i të cilës nuk ka shanse që të jetë në dorë të atyre që na ‘kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90”. Çka e bën akoma më të komplikuar situatën në grupimin më të madh opozitar Rithemelimi, që duhet të mendojnë një zgjedhje pa Berishën. I cili përpos mesazhit të zyrtarit të lartë amerikan, ka marrë dhe një mesazh të nxehtë nga Londra, për atë që quhet “dosja Britanike” dhe që ka të bëjë me shpalljen ‘non grata’ të Berishës atje. Të gjitha këto situata mund t’i çorientojnë akoma më shumë demokratët dhe tërë spektrin opozitar, teksa zgjedhjet parlamentare të 2025-ës janë në prag.

Që humbja e opozitës në këto zgjedhje është e sigurtë, këtë nuk e ka vënë askush në dyshim deri më tani. Misteri qëndron në faktin se sa e thellë do jetë kjo humbje, që ‘përkthehet’ automatikisht  në pyetjen se sa e thellë do të jetë fitorja e PS për të qeverisur në një mandat të katërt. Pasi sondazhet serioze deri më tani japin një fitore me mbi 84 mandate deputeti në këto zgjedhje për PS. Të presim, zgjedhjet nuk janë larg.

Advertisement