Connect with us

Kosova

Mesazhi i fortë dhe paralajmërues i James O’Brien

Paralajmërimi i Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien me tonalitet proporcional për Kosovën dhe Serbinë që “nëse ndodh ndonjë trazirë në Veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, për njohësin e çështjeve të sigurisë Arben Dashevci dhe ish-ambasadorin e Kosovës në Romë, Albert Prenkaj, po shihet si “preventivë” për shkak të situatës së tensionuar dhe për arsye të “mos koordinimit të veprimeve të Qeverisë me faktorin ndërkombëtar”, siç është çështja e targave ilegale.

Megjithatë, ai potencoi se Policia e Kosovës në veriun e vendit është reaguesi i parë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in të ndërhyjë në situata të tensionuara për sigurinë e vendit, teksa ka shtuar se “NATO është dhe ka qenë gjithmonë aleat i fuqishëm i Kosovës”.

Ndërsa në këndvështrimin e ish-ambasadorit të Kosovës në Romë dhe ish-drejtorit të Departamentit për Amerikë në Ministrinë e Jashtme, Albert Prenkaj, “nuk duhet të harrojmë veprimet e pa koordinuara të qeverisë së Kosovës” në lidhje me temat krejtësisht administrative dhe aspak të menduara politikisht dhe në aspektin diplomatik, siç është çështja e targave.

Sipas tij, deklarata e O’Brien duhet lexuar edhe në prizmin e diskursit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjegjësisht të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilët flasin dhe veprojnë në drejtim të armatimit, si parapërgatitje për një konflikt të hapur eventual.

“Që të dyja palët nxjerrin në etër këtë diskurs në emër të sovranitetit mbi të njëjtin subjekt shtetëror e që është Republika e Kosovës. Ky diskurs kundrohet si kërcënim i drejtpërdrejtë në sigurinë euro-atlantike. Komunikimi i O’Brien me Serbinë, por edhe me Kosovën duhet kuptuar në kontekst të angazhimit të SHBA, dhe në veçanti të NATO-s në krizat e sigurisë” – theksoi Albert Prenkaj

“Ardhja e Sekretarit Stoltenberg në Kosovë, Serbi dhe takimi i tij me vendet anëtare të NATO-s në Shkup janë mesazhe të qarta të ngritjes së nivelit të sigurisë euro-atlantike karshi gjeopolitikave inverse, më konkretisht Rusisë dhe aleancës së pashpallur anti-atlantike”.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë ka theksuar se nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, “kjo nënkupton përballje me NATO-n”.

O’Brien po ashtu ka shtuar se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që dy vendet të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Advertisement