Rajon
Mesi i artë i Escobar/ Asociacioni dhe rruga e mesme
Vizionet që u paraqitën më 2 maj në Bruksel për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe ishin të papajtueshme. Ekipi Menaxhues që kryesohej nga deputetja e Partisë Përparimtare Serbe, Danijela Vujiçiq, paraqiti një draft, që sipas palës kosovare, paraqiste veçse “dëshirë të zjarrtë” për Republikë Serbe në Kosovë dhe në themel ishte anti-kushtetues. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqiti një, siç tha ai, “draft-Vizion” për Asociacionin të paramenduar sipas modelit kroat për pakicën serbe atje. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “e goditëm murin” sa i përket Asociacionit duke folur për atë se çfarë platforme ka ofruar Kurti. Ndërkaq, ndërmjetësit megjithatë, ndonëse vërejten se vizionet e palëve “s’kishin se si të ishin më të kundërta”, e quajtën “hap simbolik” drejt themelimit të Asociacionit.
Po, çfarë thanë Shtetet e Bashkuara, të cilët përbëjnë autoritetin më të madh në dëgjueshmërinë e palëve? Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar pati një vlerësim. Edhe vizioni i palës serbe edhe ai i palës kosovare “ishin serioze”, u tha ai gazetarëve në një konferencë online për media. Por, këtyre vizioneve “serioze” Escobar tha se duhet që edhe seriozisht t’i gjendjet një mes. Prandaj, palët “duhet të gdhendin propozimet e tyre” për ta shkrirë në një model të pajtueshëm për të dyja palët, elaboroi ai. Sepse ky Asociacion, u shpreh i bindur Escobar, është edhe nisësi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke konfirmuar atë që pretendonte vetëm Serbia, se ata pa zbatimin e Asociacionit nuk nisin as zbatimin e marrëveshjes.