Kronike
Mësuesja e njoftoi për sherrin, oficerja e sigurisë tregon bisedën me Mario Përlleshajn dhe Martin Canin

Oficerja e sigurisë pranë shkollës “Fan Noli”, Jetmira Kuka ka dhënë dëshminë e saj në gjyqin për vrasjen e Martin Canit. Në seancën e sotme në Gjykatën e Tiranës, ajo ishte në listën e tre dëshmitarëve që kishin dijeni mbi konfliktet mes nxënësve të shkollës “Fan Noli” tregoi se ishte vënë në dijeni për grindjen mes fëmijëve nga mësuesja Klodiana Saliasi. Kjo e fundit e kishte informuar se disa nxënës ishin përplasur verbalisht me tone të larta. Kështu që oficerja e sigurisë i kishte njoftuar për t’u sqaruar me ta.
“Shkova dhe pashë që nxënësit nuk ishin më në tualet dhe ndaj thirra nxënësin Martin Cani që më tha se ishte shprehur me zë të lartë,dhe që kishte sharë. Por aty këtë gjë e kishte marrë personale Mario dhe ndaj kishin bërë debat. Thirra nxënësin tjetër Marion dhe më shpjegoi se nuk kishte asnjë problem mes tyre dhe që ishin në rregull,“-tha ajo në sallën e gjyqit.
Në seancën e sotme pritej që të pyetej edhe Martin Përlleshaj, por i mituri nuk u paraqit në seancë. Kështu që ‘takimi’ i radhës u la për në datën 14 korrik, për t’i lënë kohë për të rinjoftuar të miturin, i cili akuzohet si personi që e qëlloi me thikë bashkëmoshatarin, duke i marrë jetën.
Si ndodhi krimi?
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t’u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për “Snapchat”. Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari u shoqërua në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij.

