Politike
Meta: Jam nip i Tomorricës dhe ju garantoj transparencë absolute
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ishte sot në Gramsh krah kryedemokratit Sali Berisha ku prezantuan kandidatine ‘Bashkë Fitojmë’, Asim Çekrezi. Në fjalën që mbajti para qytetarëve, Meta tha se ai është nip në Tomorricë dhe u shpreh se për herë të fundit në Gramsh ka qenë katër vite më parë. Sipas tij, gjatë gjithë këtyre katër viteve ka vënë re se qyteti është keqmenaxhuar e keqqeverisur. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos e votonin më Partinë Socialiste, por koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, teksa premtuan ndryshime rrënjësore.
Fjala e Metës:
Të dashur motra dhe vëllezër të Gramshit, i nderuar doktor Berisha, i dashur kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Gramshit Asim Çekrezi, të dashur miq të pranishëm, jam shumë i lumtur të ndodhem sot në Gramsh dhe po vrisja mendjen kur kam qenë për herë të fundit në Gramsh. Sepse unë kam qenë dhe jam shumë i lidhur me Gramshin edhe për shkak të orgjinës time edhe për shkak se jam nip i Tomorricës. U kujtova, që kam qenë në Gramsh atë ditë që kam nxjerr njoftimin për anulimin e zgjedhjeve vendore 4 vjet më parë. Kemi qenë këtu me senatorë italianë për të bërë një aktivitet në nderim të një figure të madhe, të një mendimtari europian dhe italian me origjinë nga Gramshi, Antonio Gramshi.
Dhe shpesh mendoj si ikën 4 vjet me një pushtet monist ilegjitim. Pa një këshilltar të opozitës anë e mbanë Shqipërisë. Një kohë e humbur, një shkatërrim për bashkitë tona kudo, një zgjedhë e pa merituar për qytetarët tanë në të gjithë Shqipërinë. Ju e dini shumë mirë sesi është keqqeverisur Gramshi në këto 4 vite. Por unë e di shumë mirë sesi është keqqeverisur Tirana në këto 4 vite. Asnjë nuk e di në Tiranë se kush ka qenë kryetari apo kryetarja e Këshillit të Bashkisë në 4 vjet, as ju nuk e dini. Sepse kurrë nuk është bërë një mbledhje e këshillit bashkiak siç bëheshin përpara 4 vitesh siç bëheshin gjithmonë. Me debate, me alternativa, me propozime, me amendamente për buxhetet, për taksat vendore, jo asnjëherë.
Mbi 1 miliard euro taksa të qytetarëve të Tiranës janë shpërdoruar në errësirë të plotë. Dhe kur kjo ka ndodhur në Tiranë, ju e dini shumë mirë, çfarë ka ndodhur në Gramsh, çfarë ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Ndaj koalicioni jonë ‘Bashkë Fitojmë’, rikthen kontrollin tuaj mbi bashkitë dhe mbi këshillat bashkiakë. Ndaj koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ është i vendosur për të garantuar një transparencë absolute në raport me ju në Bashkinë e Gramshit e kudo me të gjithë qytetarët e Shqipërisë anë e mbanë vendit.
Dhe ne jemi të lumtur që paraqesim dhe mbështesim kandidatë që kanë një legjitimitet të jashtëzakonshëm si asnjëherë në historinë e pluralizmit politik, siç është zoti Asim Çekrezi këtu në Gramsh sepse janë kandidatë që nuk kanë ardhur të imponuar por të cilët ju i keni zgjedhur vetë përmes një gare të brendshme dhe përmes alternativave të ndryshme që keni patur. Dhe kjo është arsyeja, pse sot komuniteti i Gramshit është kaq i bashkuar dhe kaq i vendosur për të mbështetur Asim Çekrezin si kryebashkiak të ardhshëm të Gramshit. Sepse Asim Çekrezi kurrë nuk u largua nga Gramshi dhe nuk po vjen në Gramsh sepse u shpall kandidat për kryetar bashkie, por ai gjithë jetën e tij ja ka përkushtuar këtij komuniteti nuk është ndarë asnjë sekondë prej jush. Dhe mezi po pret votën tuaj për t’u vënë në shërbimin tuaj që në 15 maj, ashtu siç ka qenë gjithmonë si një administratror i shkëlqyer dhe me integritet edhe në pushtetin vendor dhe në çdo detyrë që ai ka pasur. Ndaj dhe ne e mbështesim me entuziasëm kandidaturën e tij, sepse besojmë që populli i mrekullueshëm i Gramshit që është një popull që dallohet gjithmonë për patriotizëm, një popull punëtor, një popull shtet dashës, një raport të rregullt me shtetin gjithmonë. Një popull që jep gjithmonë për vendin duhet edhe të marrë. Nuk mundet më Gramshi të votojë për të vazhduar arroganca e atyre që e kanë plaçkitur Gramshin edhe e kanë zhveshur dhe nga ato pyje të mrekullueshme që ka patur Gramshi.
Është koha për t’i ndëshkuar një herë e përgjithmonë. Nuk mund të vazhdojë më Gramshi për ata që për 10 vite e katandisën gjimnazin e Gramshit nga 1100 nxënës në 400 nxënës. Nuk mundet, nuk mundet nga ata të cilët e kanë project shpopullimin e Shqipërisë. Dhe ky projekt ka të bëjë me largimin e shërbimeve nga qytetarët, ka të bëjë me mos mbështetjen e bujqësisë, të blegtorisë e të turizmit.
Si prisni ju të mendojë qeveria e Rilindjes për Gramshin kur edhe Shkodrën që është qendra më e madhe historikisht e veriut të Shqipërisë, i heq drejtorinë e arsimit. I heq gjykatat, i heq Agjencinë e Ujërave dhe Bordin e Kullimit. I heq gjithçka dhe mendoni tani ju, që atyre t’ju bjerë në mendje për Gramshin. Ndaj edhe kandidatët jua sjellin dhe jua hedhin me parashutë. I di edhe mungesat e investimeve përsa i takon rrugëve të Gramshit dhe kam një mesazh për komunitetin e Grabovës dhe për të gjith ata që të pakënaqur dhe të zhgënjyer nga mashtrimet e rilindjes për bërjen e rrugëve duan të bojkotojnë zgjedhjet. Në asnjë mënyrë, bojkoti zgjedhjeve i shërben rindjes, vetëm pjesëmarrja është ndëshkim për ata dhe çel rrugët edhe për në Grabove edhe kudo tjetër.
Rilindja ka dështuar totalisht, rilindja nuk ka kandidatë përballë kandidatëve tanë. Ju e shikoni, nuk pranon kukulla e rilindjes në Elbasan ballafaqim me Luçiano Boçin, nuk pranon kukulla në Durrës ballafaqim me Igli Carën. Nuk pranon mashtruesi në Tiranë, ballafaqim me Belind Këllicin apo jo? Pse? Sepse bilanci i tyre është katastrofik, sepse ata nuk kanë asnjë mundësi të ballafaqohen me integritetin dhe me propozimet dhe alternativat e kandidatëve tanë. Prandaj, ju ftoj të gjithëve të votojmë për Asim Çekrezin në mënyrë që Gramshi të mos mbetet i harruar. Përkundrazi, në mënyrë që Gramshi të gjallërohet, në mënyrë që bukuritë e jashtëzakonshme të Grabovës, të Sotirës të liqenit të zi të Oltës, e kudo tjetër në këtë trevë të mrekullueshme, të jenë një atraksion për të gjithë shqiptarët dhe turistët e huaj dhe burim mirëqenie për komunitetin e mrekullueshëm të Gramshit. Ndaj të gjitha votat në 14 maj për numrin 1, për Arsim Çekrezin në Gramsh dhe për ‘Bashkë Fitojmë’ për këshillat bashkiakë.