Politike
Meta: Rilindja është kundër atdheut e familjes
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me strukturat e partisë në Kamëz, teksa ka deklaruar se në vend qeverisja është kundër atdheut dhe familjes.
Sipas Metës ‘Rilindja’ ka implementuar në shkollat e Tiranës udhëzime për të promovuar konceptet e “Prindit 1 dhe 2”, gjë që sipas tij është një tentativë për shkatërrimin e familjes që rrjedhimisht sjell shkatërrimin e kombit.
“Pse jemi ne më të varfër se Kosova apo Maqedonia, por jemi të parët për korrupsion. Në dy vite Kosova është përmirësuar me 20 vende në luftën kundër korrupsionit. Shqipëria në vitet e Ramaformës ka rënë disa vende, nga 2016 deri tani sepse buxheti që duhet të shkonte për rritjen e pagave apo pensioneve shkojnë për të bërë rrugë që kushtojnë shumë më shumë se në BE.
Rruga e Arbrit u bë koncesioni që me 75 milionë euro të përfundonte, kanë kaluar 350 milionë euro dhe nuk ka shanse të mbyllet. Shtojnë faturat nga 20 e 30 milionë. Ka vetëm një qëllim, korrupsionin dhe varfërimin e njerëzve
Ka vetëm një alternativë kur ofrohet frika dhe intimidimi. Ata nuk thonë do fitojë Erion Veliaj se ka mbajtur premtimet. Ai është mjeshtër i mashtrimeve. Si do thonë ata për arsimin apo shëndetësinë. Kur ka ndërhyrë për ndonjë konstruksion në shkolla për të vjedhur fondet publike. Raporti e nxirrte qartë, këta kanë vjedhur edhe racionin e jetimëve te shtëpia e jetimëve. Janë të pandalshëm, kanë humbur çdo ndjenjë përgjegjësie dhe të anës njerëzore.
Duhet t’i ndëshkojmë në mënyrën më të merituar dhe të tregojmë se jemi një popull evropian. Para se të hyja këtu takova disa fëmijë, duhet të bëjmë gjithçka që ata mos të rriten me ëndrrën për t’u larguar nga vendi. Rilindja është kundër atdheut dhe kundër familjes. Fusin në shkolla në Tiranë udhëzime për të promovuar prindin 1 dhe 2, për ata nuk ka nënë e babë. Për ata nuk ka nënë e babë. Shpërbërja e një kombi nis nga shkatërrimi i familjes”, tha Meta.