Politike
Meta: Rilindja ka dështuar totalisht, nuk ka kandidatë përballë kandidatëve tanë
Kreu i Partisë së Lirisë ka marrë pjesë ditën e sotme gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit në bashkinë Gramsh.
Nga Gramshi Meta ka deklaruar se qytetarët nuk mund të vijojnë duke votuar “arrogancën e atyre që kanë plaçkitur qytetin”, ndërsa shtoi se projekti i “rilindjes” është shpopullimi i Shqipërisë.
Sipas tij qeverisë nuk i intereson për Gramshin, pasi “kandidatët i hedhin me parashutë”, ndërsa vijoi duke thënë se rilindja nuk ka kandidatë përballë atyre të koalicionit opozitar.
“Shpesh mendoj si ikën 4 vjet me një pushtet monist, pa një këshilltar të opozitës në gjithë vendin. Një shkatërrim për bashkitë tona, një zgjedhje e pamerituar për qytetarët. Ju e dini si është keq qeverisur Gramshi në këto vite, ashtu si edhe Tirana. Askush nuk e di në Tiranë kush ka qenë kreu i këshillit në 4 vite. Kurrë nuk ka pasur mbledhje siç bëheshin më parë. Mbi 1 miliardë euro të taksave të Tiranës janë shpërdoruar në errësirë, kur ndodh aty ju e dini se çfarë ka ndodhur në Gramsh.
Ne do kthejmë kontrollin tuaj mbi bashkitë dhe këshillat. Do garantojmë transparencë absolute mbi punët në Gramsh. Kandidatët tanë nuk kanë ardhur të imponuar, por i keni zgjedhur vetë. Kjo është arsyeja pse sot komuniteti i Gramshit është kaq i bashkuar për të mbështetur Hasim Çekrezin si kryebashkiak të ardhshëm. Ne besojmë se populli i Gramshit, që dallohet për patriotizëm dhe punëtor. Një popull që jep gjithmonë duhet edhe të marrë. Nuk mundet më Gramshi të votojë për të vazhduar arroganca e atyre që e kanë plaçkitur qytetin. Ata e kanë projekt shpopullimin e Shqipërisë. Si prisni ju që qeveria e Rilindjes të mendojë për Gramshin, kur edhe Shkodrës i ka hequr gjykatat, agjencinë e ujërave, gjithçka. Imagjinoni t’iu bjerë ndër mend për Gramshin dhe kandidatët i hedhin me parashutë. Bojkoti i zgjedhjeve i shërben rilindjes, ajo çel rrugët vetëm për ta. Rilindja ka dështuar totalisht, nuk ka kandidatë përballë kandidatëve tanë. Nuk pranon kukulla e rilindjes në Elbasan ballafaqim, as mashtruesi në Tiranë ballafaqim. Bilanci i tyre është katastrofë”, u shpreh ai.