Kosova
Metamorfoza politike e kamaleonit ish kryeministër Albin Kurtit për Bashkimin Kombëtar

Në vitin 2009 në një panel diskutimi i titulluar “Shqipëria e Madhe” në emisionin “Opinion” i transmetuar në “RTV Klan”, Albin Kurti, kishte konstatuar se integrimi evropian është zëvendësim “artificial” dhe i “rrejshëm” për bashkimin kombëtar.
Në vlerësimin e tij, shqiptarët nuk duhej të jetonin me iluzionin se me integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë në Union bëhet edhe bashkimi i dy shteteve.
“Integrimi evropian është zëvendësim artificial dhe i rrejshëm për bashkimin kombëtar[…] Bashkimi Evropian është konglomerat i shteteve kombe, duhet të konsolidohemi njëherë si shtet komb, na duhet njëherë një shtet i ri shqiptar për kombin shqiptar, dhe jo të krijojmë iluzionin që bashkimi evropian na bashkon atje”, thoshte Kurti opozitar asokohe.
15 vjet pas Kurti, i ulur në karrigen e kryeministrit, përveç se beson se nuk ka momentum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, thotë se fokusi “duhet të jetë tek Evropa”, posaçërisht duke pasur parasysh pasiguritë gjeopolitike aktuale.
“Në një epokë konfliktesh të mëdha, këndvështrimi shtetkombëtar është shumë i ngushtë. Tani bëhet fjalë për Evropën. Përballë kërcënimit rus, ai dëshiron më shumë që vendi i tij të anëtarësohet në NATO”, citohet të ketë thënë Kurti për gazetën zvicerane “Neue Zurcher Zeitung”, intervistë kjo e publikuar më 21 nëntor 2024.
Për mbi 15 vjet, Albin Kurti e ka parë si të domosdoshëm bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por me të ardhur në pushtet ai dha shenja të zbehjes nga ideali i tij për të cilin avokoi fuqishëm.
Ai filloi ta lexonte me zë të lartë nenin 1.3 të Kushtetutës së Kosovës, që dikur premtonte, me zë po aq të lartë, se do ta ndryshonte kur të vinte në pushtet.
“Fatkeqësisht kushtetuta e Kosovës e ka një kundërthënie. Neni 1.1 thotë se Kosova është shtet i pavarur, ndërsa, neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë Kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, por njëkohësisht paraqet pengesë për integrime siç është ai Evropian”, deklaronte Kurti më 2021.
Albin Kurti, përveç se ka hequr dorë nga projekti, tash shpreson se dikush tjetër do ta bëjë të mundur që të vijë puna e një referendumi për bashkim.
“Në të ardhmen nëse do të prezantohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prapë, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, kishte thënë Kurti në nëntor të vitit 2021, në një intervistë me zë për revistën online “Monocle”. ALBANIAN POST

