Bota
Mijëra viktima/ Erdogan: Izraeli po kryen krime kundër njerëzimit
Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka nisur një sulm të ri kundër Izraelit, në deklaratat e tij pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Presidenti turk foli për “barbarinë” që po vuajnë banorët në Gaza, ndërsa theksoi se “Izraeli, i cili merr mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-së dhe Evropës, po kryen një krim kundër njerëzimit”, raportojnë mediat e huaja.
“Ne festuam 100 vjetorin tonë ndërsa vëllezërit dhe motrat tona po masakroheshin në Gaza dhe Palestinë. Që nga 7 tetori, vëllezërit tanë nga Gaza janë brutalizuar. Izraeli, i cili ka mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-së dhe Evropës, po kryen një krim kundër njerëzimit. Spitali i Miqësisë, i cili ishte dhurata jonë për vëllezërit tanë në Gaza, u vu në shënjestër të forcave izraelite. Spitalet mbeten të paprekura në luftë. Infrastruktura shëndetësore e vendit nuk mund të shkatërrohet. Izraeli vepron si një organizatë dhe jo si një shtet. Shtetet duhet të respektojnë ligjet e luftës. 8500 palestinezë u vranë si rezultat i sulmeve izraelite. Më shumë se 21 mijë vëllezër tanë u plagosën”, tha presidenti turk.
Erdogan theksoi se diskutimet janë duke vazhduar për të siguruar që autorët e krimeve të luftës në Gaza të mbahen përgjegjës.