Connect with us

Rajon

Ministri serb i ekonomisë deklarohet pro sanksioneve ndaj Rusisë

Ministri i Ekonomisë i Serbisë, Rade Basta, ka kërkuar që qeveria e këtij vendi të shpallë urgjentisht vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës.

Basta vlerësoi se Serbia “tashmë po paguan një çmim të rëndë për mosvendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe se kjo po bëhet e paqëndrueshme”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Ekonomisë së Serbisë.

“Si ministër i Ekonomisë nuk mund të pranoj se sa presion po i bëhet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ne heshtim. Prandaj jam për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, qëndroj pranë presidentit Vuçiq në mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare dhe kam besim absolut tek ai. Prandaj po kërkoj nga Qeveria e Serbisë dhe të gjithë ministrat që të deklarohen për këtë çështje”, tha Basta.

Ai tha se Serbia, si një vend që vetë është përballur me sanksione gjatë historisë, nuk e ka marrë atë vendim sepse shpreson që “konfliktet të përfundojnë dhe arsyeja të mbizotërojë”

Por sipas Rade Basta – “Fatkeqësisht, me kalimin e kohës jemi përballë një realiteti të ri. Konfliktit nuk i duket fundi dhe arsyeja duket se ka mbaruar. Serbia po përballet me presione të jashtëzakonshme”

 

Advertisement