Shkrime
Minxhozi: Serbia po ndjek modelin e Rusisë për të marrë sa më shumë territor
Analisti Skënder Minxhozi, duke komentuar situatën mes Kosovës dhe Serbisë, tha se arrestimi i Milan Radojiçiçit në Beograd, është një sjellje e ndyrë e autoriteteve serbe. Ai u shpreh se Serbia u përpoq të ndërtonte në veriun e Kosovës, nëpërmjet një ndërhyrje ushtarake të beftë, një zonë të lirë, të ngjashme me Donetsk-un. Sipas Minxhozit, Serbia po ndjek modelin e Rusisë për të marrë sa më shumë territor. “Është një sjellje e ndyrë nga ana e autoriteteve serbe. Serbia de facto u përpoq të ndërtonte në veriun e Kosovës, nëpërmjet një ndërhyrje ushtarake të beftë, një zonë të lirë, të ngjashme me Donetsk mikroskopik po themi në veriun e Republikës së Kosovës, për të krijuar një korridor të nesërmen për më shumë infiltrime dhe për një prezencë që do ishte e vështirë për t’u larguar nga ushtria kosovare. Qartazi, serbët u munduan të kenë një prezencë në tokën kosovare, nëse do ia arrinin qëllimit, dhe për ta përdorur si avantazh në negociatat e së nesërmes. Mendoj se ishte një plan që dështoi zhurmshëm dhe sado që Serbia hiqet si e paditur dhe e papërlyer në këtë ngjarje, ka një element që Vuçiç nuk i jep dot përgjigje, se si ka mundësi që një qeveri si ajo serbe, që thotë se nuk ka lidhje me atë që bën Radojiçiç në Kosovë, shpall zi kombëtare për grupe terroriste. Kjo është e pashpjegueshme” – deklaroi MinxhozI. Sipas tij, politika ndaj fqinjëve e Putinit, është të ndërtojë sa të mundet, më shumë copëza nga perandoria e shkuar sovjetike. “Mendoj se ky model, në një shkallë më të vogë, po përpiqet të luhet edhe nga serbët. Nëpërmjet pakicave etnike, siç bëjnë edhe rusët në hapësirën e madhe ish-sovjetike, serbët po përpiqen të injektojnë desabilitet dhe tension në vendet ku këto pakicat jetojnë dhe së dyti, që ato të garantojnë të drejta që i afrohen të drejtave të asociacionit” – u shpreh analisti Skender Minxhozi