Connect with us

Shkrime

Miranda Shala: Mbreti Albin doli lakuriq

Presioni ndërkombëtar, me të cilin tashmë u njoh edhe kryeministri Albin Kurti, zbuloi më në fund edhe një pjesë të tij, të cilën për vite me radhë ishte munduar ta fshehë në çdo mënyrë. Veçanërisht, muajt e fundit kur top temë u bë çështja e Asociacionit. Marrëveshja evropiane, e publikuar nga Bashkimi Evropian, është episodi i fundit në historinë e gjatë të metamorfozës politike të Kurtit. Në fakt, është gozhda e fundit në arkivolin e Albinit opozitar, i cili sot më nuk ekziston!

Pas takimit në Bruksel, ku Albini i sotëm u pajtua me një marrëveshje, që ai i dikurshmi s’do ta pranonte kurrë, Kurti u zotua edhe për zbatimin e Asociacionit e për formalizimin e statusit special për Kishën Ortodokse serbe në Kosovë. Ai u pajtua edhe të harrojë të kaluarën, diskutimi i së cilës dikur ishte kusht i vënë nga Kurti edhe vetëm për t’u ulur në tavolinë me Vuçiqin.

Pas këtij hapi, të papritur nga elektorati madhështor i kryeministrit, të cilët me sy mbyllur kanë besuar se Albini i tyre do gjente një mënyrë për t’i ikur, me shumë mundësi në vazhdim do të kemi një 51-përqindësh të zhgënjyer, që do të nisë dalëngadalë zgjimin nga gjumi i thellë në te cilin është vënë nga përrallat e bukura të Kurtit, ku heroi ishte vetë ai. Tani, kryeheroi i dikurshëm, për shumë është shndërruar në “kryemashtrues”, që ndryshon qëndrimet sikurse të ishin stinë të vitit.

Këta njerëz, do të fillojnë të kuptojnë që Albini nuk është perëndi, nuk është ndryshe nga te tjetrt dhe, do-sdo, do të nënshtrohet para fuqisë që ndihmoi në ekzistencën e këtij vendi, para ShBA-së.

Tani, shpresoj shumë qe ndjekësit e verbër të Kurtit, do e kenë kuptuar se një ‘kurrë’ e tij, vlen vetëm për Facebook, sa për të ngjallur ndjenja patriotizmi, e për t’u hedhur njerëzve hi në sy. Do të jetë kuptuar edhe se gjithë ‘kurrë’-at që i ka thënë deri më tani, kanë mbetur në të kaluarën.

Premtimet të cilat e kanë shoqëruar deri më sot, duke i mundësuar uljen në postin qe mban, po i merr era. Dhe plani franko-gjerman, qe përmban Zajednicën brenda është vetëm një nga shumë premtime tjera që do të thyej Kurti në vazhdim.

Siç thonë, e vështirë është hera e parë, pastaj të bëhet rrugë. Tashmë Kurti ka hyrë në autostradën e ndryshimit të qëndrimeve, ku shpejtësia e kapërcimeve është aq e madhe, sa është vështirësuar tejmase listimi i secilit ndryshim.

Kjo ishte vetëm një pjesë që zbuloi pak më hapur se kush është Albin Kurti.

Çështja tjetër, jo më pak e rëndësishme që e nxorri lakuriq, mund të jetë edhe vetë arsyeja që ai pati mundësinë të pranojë planin evropian nën cilësinë e liderit të Kosovës.

Mos të harrojmë dhe të kujtojmë se rruga e tij për tu ngjitur në pushtet nuk po del të jetë edhe aq e pastër sa është menduar.

Emri i Albin Kurtit nuk lidhet më vetëm me fitoren e tij të bujshme. Në media të shumta të huaja, emri i kryeministrit të Kosovës, tashmë po shfaqet ngjitur me emrin e Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci dhe me degën e kompanisë sllovene të energjisë në Beograd GEN-I.

Në rreshta të mediave në gjuhë sllovene, kroate, malazeze, serbe po edhe shqipe, ngjitur me emrin e Kurtit e Berishajt po figuron edhe një shifër e majme parash. Miliona. Pastaj, fushata e VV-së, zgjedhjet, diaspora, biletat dhe ja Kurti 51%.

Gjithë kjo situatë po bën që kryeministri të zhvishet lakuriq e të zbresë nga pedestali, duhen vetëm sy për ta parë dhe mendje për ta dënuar në zgjedhjet e ardhshme, pasi gjendja aktuale e kryeministrit e konfirmon një të vërtetë eternale, se zgjedhjet, nuk duheshin fituar me gënjeshtra…

 

 

Advertisement