OPINION
MISTERI në Pogradec/ Viktima ishte njëkohësisht gjallë dhe e vdekur
Nga Lutfi Dervishi
Qyteti i vogël liqenor që po përjeton rilindjen në çdo fushë dhe sidomos në teknologji u zgjua i tronditur nga një episod i pa shpjegueshëm.
Pikerisht në kohën kur teknologjia ka arritur kulmin dhe ku gjithçka është e monitoruar, e mbikëqyrur dhe e rregulluar në mënyrë të përpiktë, ndodhi një ngjarje që synoi të hedh baltë mbi sistemin e përkryer dhe arritjet e pa mohueshme.
Një pasdite të nxehtë vere, kur termometri nuk pranonte të zbriste poshtë 34 gradëve, ambulanca dhe policia mbërritën në një skenë krimi, ndoshta për herë të parë në histori, para se krimi të ndodhte. Dhe këtu filloi problemi. Viktima, një menaxher i një lokali të vogël të marrë me qera, guxoi të mos paguante “gjobën”, nuk kishte ende nevojë për mjek dhe agresori nuk e kishte ngritur ende dorën për ta goditur.
Policia, falë Inteligjencës Policore dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët, e ndaloi të dyshuarin në mënyrë të beftë. Një sukses i paparë falë reformave sigurisht! Edhe kamerat e lokalit ku ndodhi ngjarja dhe atij perballe, të pajisura me teknologjinë më të fundit (sipas kërkesa e të ligjit) dhe me rezolucion të lartë, regjistruan çdo gjë. Por fatkeqësisht, rezolucioni ishte aq i lartë saqë askush nuk mund të shihte asgjë. Imazhet ishin aq të detajuara sa u bënë një lëmsh pixel-esh që nuk i shërbenin hetimit.
Ndërkohë, dëshmitarët okularë, në një përpjekje heroike për të përshkruar ngjarjen, ofruan versionet e tyre të mbushura me detaje, por që të gjithë bashkoheshin në një pikë: “nuk pamë gjë”.
Por pavarësisht gjithë këtyre përpjekjeve, çudia erdhi: vrasja ndodhi.
Si?
Kjo mbeti një mister. Dikush tha se ishte si një episod i “Paradoksit të Schrödinger-it” – viktima ishte njëkohësisht gjallë dhe e vdekur, për sa kohë që policia nuk ishte e sigurt.
Prokuroria, duke u bazuar në dëshminë e të dyshuarit, mbërriti në një konkluzion shkencërisht të bazuar: ngjarja kishte ndodhur për shkak të temperaturave të larta, zjarreve aty pranë, luftës në Ukrainë dhe Gaza dhe ndikimit të ngrohjes globale. Ky përfundim u mbështet edhe nga një studim i ri, i cili thotë se nxehtësia e lartë shkakton agresivitet te njerëzit, veçanërisht kur ata ndodhen në afërsi të lokaleve të vogla që nuk paguajnë gjoba.
Në bazë të këtyre fakteve, vrasja u cilësua si “nga pakujdesia”. Prokurori shpjegoi me qetësi se nuk ishte faji i askujt; njeriu nuk mund t’i rezistojë fuqisë së natyrës. Si rezultat, agresori do të dënohej me një “gjobë” simbolike, sa për të mos humbur traditat e lashta të sistemit ligjor dhe për të mos hedhur hije dyshimi te Drejtësia
Gjykata gjithashtu vlerësoi faktin se viktima nuk humbi asgjë tjetër përveç jetës – paratë e xhiros së ditës ishin ende në xhepin e tij. Në një botë ku paratë jane gjithçka, humbja e jetës është thjesht një statistike.
Kryeministri, me një buzëqeshje të qetë dhe të matur, ngriti në qiell reagimin e shpejtë dhe profesional të policisë dhe urgjencës. Ai e quajti këtë një shembull të përkryer të suksesit të sistemit të reformuar. Por, ai nuk e kurseu kritikat ndaj medias, duke i akuzuar për keqinformim dhe përhapje paniku. “Është e pafalshme,” tha ai, “që të bëhet kaq shumë zhurmë për një incident të tillë të rëndomtë, kur është provuar katercipërisht se sistemi ynë funksionoi më së miri!”
Dhe kështu, qyteti vogël i një vendi me ego të madhe vazhdon të jetojë, duke festuar, reformat dhe duke bere like dhe komente në Facebook.
Madje gjysma e qytetit thotë se vrasja nuk ka ndodhur fare , ndërsa gjysma e vendit thotë se sistemi funksionon!