Connect with us

Aktualitet

Misteri rreth vdekjes së avokat Dingos – Aksident, apo vrasje e paramenduar?

Nga Vitjon Nina
Më 21 gusht, një aksident tragjik, i ndodhur në aksin e rrugës dytësore Plepa-Kavajë, do të rezultonte në fatalitet për avokatin Leonard Dingo, 63-vjeçar.

Një aksident, autori i të cilit ende nuk është vënë në pranga, por dyshohet se është shtetasi 22-vjeçar Erjon Kacani, një emigrant nga Greqia, i cili me shpejtësi është larguar nga zona, pasi i ka marrë jetën Dingos.

Policia e Durrësit në një njoftim të shpërndarë për mediat, ka thënë se ka gjetur mjetin e braktisur në një fshat pranë qytetit bregdetar dhe ka shpallur në kërkim Kacanin.

Megjithatë, edhe pse në dukje një aksident, ngjarja mund të ketë të tjera përmasa dhe dyshimet, janë hedhur nga vetë kolegët e Dingos, të cilët argumentojnë se mund të kemi të bëjmë edhe me një ngjarje të paramenduar. Pra, një vrasje të mirëfilltë, të stisur si aksident me makinë.

Leonard Dingo ishtë një person i njohur, i cili ushtronte profesionin e avokatit për çështje penale, civile, administrative dhe familjare. Profesioni i tij ka ngritur dhe dyshime në lidhje me ngjarjen, ku përveçse vetëm dy ditë pas ngjarjes Policia e Durrës njoftoi aksidentin, kolegët e tij dyshojnë se aksidenti është i qëllimshëm. Sipas avokatëve penalistë, në një deklaratë që kanë lëshuar ditën e sotme, Dingo ka pasur në shqyrtim çështje sensitive dhe për aksidentin do të duhet që të kishte një hetim më të plotë.

Çfarë thuhet në reagimin e avokatëve penalistë?

Ka më shumë se 48 orë që në zonën e Golemit, Durrës ka ndodhur një aksident me tipare të një krimi, që ende nuk është zbardhur. Avokati i mirënjohur Leonard Dingo ka ndërruar jetë si rezultat i një aksidenti që ka ndodhur pranë shtëpisë së tij në një rrugë dytësore rreth orës 12:00 të datës 20 Gusht.

Duke ditur çështjet sensitive që mbronte avokat Dingo dyshimet e arsyeshme të drejtojnë përtej një aksidenti të zakonshëm. Sipas burimeve konfidenciale deri tani është gjetur makina që ka bërë aksidentin e braktisur në zonën e Shëna Vlashit, është identifikuar targa dhe rrjedhimisht edhe pronar i makinës, por ajo që do t’i jepte rrugë zbardhjes së aksidentit ende është enigmë.

Është kryer një krim dhe asnjë i dyshuar apo i ndaluar!

Menjëherë pas kësaj, një reagim pati edhe Dhoma e Avokatisë, ku është kërkuar hetimi i ngjarjes deri në fund.

Në të shkruhet:

Nga hetimet paraprake dhe provat e vendngjarjes, Policia ka konkluduar për një aksident rrugor. I ndjeri Dingo ishte 63 vjeç me profesion avokat dhe anëtar i Dhomës së Avokatisë Durrës. Kreu i Dhomës Prof. Doktor Maksim Haxhia ka marrë kontakt direkt me Drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Drejtorin Vendore Durrës me drejtuesin Skënder Hitaj.

Si drejtues dhe në emër të Dhomës, Profesor Haxhia ka kërkuar zbardhjen e veprës penale dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit. Nga ana tjetër, në emër të Policisë, z. Hitaj ka garantuar se po punohet intensivisht për kapjen e autorit të dyshuar, i identifikuar si një 23-vjeçar emigrant.

Në emër të të gjithë kolegëve, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë i shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet familjes Dingo.

Lidhjet që i riu, i dyshuar si autori i aksidentit, Kacani, mund të ketë me avokatin e ndjerë Dingo, nuk dihen ende. Ndaj edhe një hetim më i zgjeruar policor ka nisur punën për të mësuar çfarë fshihet vërtetë pas kësaj ngjarjeje të kaluar fillimisht nën zë si një aksident. Por, e cila po merr përmasa të tjera.

Advertisement