Connect with us

Kronike

Misteri/ Turqia kërkon dosjen e Licit

Autoritetet turke i kanë dërguar një shkresë Prokurorisë shqiptare, me anë të së cilës kërkojnë të pajisen me dosjen hetimore të Ibrahim Licit, i cili u raportua një ditë më parë se ndodhet në Turqi. Ndonëse ende nuk është bërë e qartë, nëse Lici është prangosur apo thjesht lokalizuar, Turqia ka kërkuar të njihet me të gjitha akuzat që rëndojnë mbi 27-vjeçarin. Kërkesa nga pala turke ka ardhur në Shqipëri më 19 tetor, dhe Prokuroria e Përgjithshme, me anë të një shkrese tjetër, ka kërkuar informacion të plotë nga Prokuroria e Shkodrës, në mënyrë që të përgatisë dosjen për autoritetet turke.

Një ditë më parë u raportua se Ibrahim Lici është vënë në pranga në Turqi, që më 19 tetor, por më vonë, u bë me dije se bëhej fjalë vetëm për një lokalizim të të shumëkërkuarit për vrasje. Edhe pse kanë kaluar 24 orë nga raportimet, nuk është akoma e qartë ajo që ka ndodhur me Licin. Ibrahim Lici është një emër mjaft i njohur për policinë në Shqipëri. Ai është dyshuar për disa ngjarja kriminale, kryesisht vrasje të bujshme që kanë tronditur Shkodrën ndër vite. Lici është dyshuar si autori i vrasjes së 32-vjeçarit Endri Mustafa, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2021. Ai dyshohet se është edhe autori i vrasjes së vëllezërve Ibrahim dhe Astrit Bilali, ngjarje e ndodhur në qytetin verior disa vite më pare, më konkretisht më 30 mars të vitit 2019.

Gjithashtu, Ibrahim Lici është prangosur si “truri” i një grupi gjobëvënësish ndaj tregtarëve. Ai u akuzua se ishte në krye të bandës së përbërë nga 9 persona, që terrorizonin tregtarët në Shkodër. Ibrahim Lici është djali i Mustafa Licit, anëtar i këshillit bashkiak të Shkodrës. Familja Lici është ka humbur gjithashtu anëtarë në dyluftimin me bandën e Bajrave. Më konkretisht, vëllai i Mustafa Licit, Fatbardh Lici, mbeti i vrarë në gusht 2018, ngjarje e ndodhur në qendër të Shkodrës. Në po të njëjtin vit, u sulmua me tritol Lul Kulla, kunati i Fatbardh Licit, i cili mbijetoi me plagë të shumta.

Advertisement