Bota
Mjekët në grevë të përgjithshme në Indi pas përdhunimit e vrasjes së doktoreshës së spitalit (fotot)
Spitalet në Indi kanë nisur një grevë të rrallë të përgjithshme, përveç shërbimeve të emergjencës, teksa doktorët kanë përshkallëzuar protestën e tyre për përdhunimin e vrasjen e një kolegeje, në tragjedinë që ka tronditur vendin.
Greva e nisur prej të hënës ka përshirë disa spitale shtetërore dhe disa reparte kirurgjie. Ndërsa një grevë masive kombëtare që zhvillohet nesër pritet të shkaktojë probleme në të gjithë vendin për 24 orë, teksa do të përfshijë dhe spitalet private.
Përfaqësuesi Dr Johnrose Jayalal, tha se zemërimi publik është i gjerë prandaj qeveria duhet të detyrohet të veprojë
“50% e doktorëve janë gra, ndërsa 90% e infermiereve janë gjithashtu gra. Ne duam që qeveria të marrë përgjegjësi për sigurinë e tyre, duke shpallur spitalet zona të mbrojtura, njëlloj si aeroportet e gjykatat”, tha ai.
Jayalal shtoi se stafi janë të shqetësuar për sigurinë e doktorëve femra, si dhe prej shtimit të dhunës ndaj të gjithë doktorëve prej familjarëve të pacientëve me trajtime të dështuara.
Doktoresha 31-vjeçare u sulmua fatalisht javës që shkoi në një spital në Kolkata, kur po shplodhej gjatë një turni nate. Një punonjës informal i spitalit raportohet se është arrestuar për ngjarjen dhe akuzuar për krimin, shkruan rrjeti The Guardian.
Zemërimi për krimin në Kolkata është komplikuar nga reagimet e pandjeshme të disa njerëzve të njohur, duke sinjalizuar se shumë pak ka ndryshuar që prej sulmit famëkeq të vitit 2012 në autobusin në Delhi që shokoi vendin.