Connect with us

Aktualitet

Mjeshtri që filmoi shpirtin shqiptar

Nga Lutfi Dervishi

Dhimitër Anagnosti u largua, por kinemaja e tij jeton. Filmat e tij nuk pranojnë të plaken, sepse nuk ishin thjesht kinema, por pasqyra ku herë u pamë siç ishim dhe herë siç duhet të ishim.

Breza të tërë u rritën duke mësuar lirinë në sytë e fëmijëve te Lulëkuqet mbi mure…, panë hijet e së shkuarës që riktheheshin te Kthimi i ushtrisë së vdekur. Zbuluam veten dhe problemet tona te Në shtëpinë tonë, ndjemë tensionin moral te Duel i heshtur, dhe buzëqeshëm hidhur me satirën e Përrallë nga e Kaluara. Sepse Anagnosti dinte ta kthente jetën e zakonshme në art.Siç thoshte vetë, “jetë të gjatë kanë veprat që ngrenë pyetje dhe trajtojnë jetën njerëzore” dhe filmat e tij e dëshmojnë këtë më së miri.

Edhe në filmin e tij të fundit, Gjoleka, djali i Abazit, ai na dha një metaforë të fortë për brezat e rinj që rriten mes dashurisë e urrejtjes, mes traditës dhe përpjekjes për t’u integruar në një botë të re. Sot i themi lamtumirë, por më saktë do të ishte mirupafshim. Sepse çdo brez që do të shohë një djalë me lulëkuqe në xhep, një duel të heshtur, një përrallë që ngjan si realitet, një familje rreth tryezës apo një ushtri që kthehet nga e shkuara, do të njohë aty shpirtin e një artisti të vërtetë. Një mjeshtër që na mësoi se kinemaja nuk është zbavitje, por një hapësirë ku mund të pasqyrohemi dhe të mbijetojmë si individë dhe si shoqëri.

 

Advertisement