Kronike
Morën urdhër nga Erjon Alibej për të vrarë ‘Otin e Elbasanit’, gjykata liron dy ‘ushtarët’
Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ndryshoi masën e sigurisë për Arben Spahiun dhe Arsen Preci, të dy të njohur të Erjon Alibej. Për ta u caktua masa e sigurisë detyrim paraqitje.
Ata u arrestuan si të dyshuar nga prokuroria Elbasanit për sigurim kushtesh për të kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje e falsifikim dokumentash, lidhur me sendet dhe armë të gjetura te ish fabrika e konservimit në lagjen Emin Matraxhiu po në Elbasan, në shkurt të këtij viti, ku në mjetin tip BMW x6 u gjet armë kallashnikov. Kjo makinë rezultoi të ishte vjedhur në qytetin e Shkodrës.
Dy miqtë akuzohen se kanë marrë urdhër nga Erjon Alibej nga brenda burgut, për të vrarë ‘Otin e Elbasanit’ në një sulm hakmarrës, për shkak të lidhjeve që ai kishte me kundërshtarët e kësaj organizate, si Talo Çela.
Arben Spahiu është vëllai i Arjan Spahiut, i vrarë në Belgjikë në një luftë mes grupeve për larje hesapesh e njëkohësisht kunati i Erjon Alibejt, që ndodhet në burg nën akuzën se ka urdhëruar dhe financuar disa atentate për eliminimin fizik të kundërshtarëve dhe për hakmarrje.