Connect with us

Sport

Mori notën më të ulët ndër kuqezinjtë, por Broja premton: Shumë shpejt do t’i shihni golat e mi

Armando Broja qëndroi në fushë për 86 minuta në fitoren 1-0 ndaj Letonisë, pa mundur të lërë shenjë, përveç ndonjë ‘shkëndije’ nga krahu i djathtë i sulmit. Paraqitja e tij nën pritshmëri konfirmohet edhe nga nota që i ka vënë ‘sofa score’: 6.6. Askush nga lojtarët titullarë të Shqipërisë nuk ishte vlerësuar me notë më të ulët.
Në prononcimin e tij sulmuesi i Burnley-t theksoi se nuk është në formën më të mirë, por më e mira do të vijë:
“Shumë shpejt do të shihni golat e mi dhe asistet e Asllanit. Ai ka pasime që nuk i gjen shpesh te lojtarët e tjerë, dhe besoj se shumë shpejt do të bëjmë gola e asiste së bashku.
Duhet të godasim më shpesh portën dhe të futemi me më shumë lojtarë në zonë, unë, Bajrami, Laçi, për ta bërë më të vështirë për kundërshtarët.
Ne luftojmë për fanellën, për trajnerin dhe për njëri-tjetrin. Është shumë e rëndësishme që morëm këto tri pikë. E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, por sërish arritëm një rezultat pozitiv. Kishim disa raste të mira për të shënuar.
Grupi është i fortë dhe shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv edhe ndaj Serbisë. Për mua kjo ndeshje ishte një hap i rëndësishëm, pasi luajta 86 minuta pas një periudhe të gjatë pa aktivizim. Ishte e vlefshme për fizikun tim. Me më shumë minuta dhe ndeshje, forma ime do të rritet dhe shpresoj që të shënojmë edhe më shumë gola.”

Advertisement