Kosova
‘Mos fluturoni shumë’, BE pavarësisht votimit të Kosovës në KiE
Bashkimi Evropian ka thënë se vendimet në Këshillin e Evropës nuk kanë të bëjnë me Unionin drejtpërdrejtë, pasi, sipas tyre, ajo është organizatë tjetër e pavarur evropiane, teksa dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që te zbatojnë detyrimet nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt, Ohër, më 18 mars).
“Pa marrë parasysh veprimet në Këshillin e Evropës, kur është fjala te dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, BE-ja vazhdon të pres që të gjitha pjesët e Marrëveshjes nga viti 2023, për rrugën drejt normalizimit të zbatohet me shpejtësi, në besim të mirë dhe në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra, ashtu siç palët ishin pajtuar me aneksin e implementimit në Ohër”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Sipas tij, “Këshilli i Evropës luan rol qendror në promovimin e vlerave fondamentale Evropiane dhe standardeve të përbashkëta, përfshirë edhe të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. U takon shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me këtë organizatë, përfshirë edhe anëtarësimin”.
Stano në veçanti ka përmendur detyrimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë si edhe akuzoi të dyja palët për moszbatimin e Marrëveshjes Bazë.
“Është për keqardhje se, përkundër përpjekjeve nga ana e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare, deri me tani progresi në zbatimin e obligimeve nga kjo Marrëveshje ka qenë shumë i limituar, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia”, theksoi Stano.