Connect with us

Politike

Mosbindja civile/ Bejko: Berisha e bëri protestën për ndërkombëtarët

Politikani Roland Bejko, i ftuar në një studio televizive, tha se dje nuk pamë mosbindje civile nga PD, duke e konsideruar protestën pjesë të spektaklit. Bejko mendon që SHBA u ka thënë deputetëve të PD-së që të mos kalojnë vijën e kuqe. Bejko mendon që protestën Berisha e bëri për të negociuar statusin e vet me ndërkombëtarët.

Ambasada amerikane ka dashur të thotë që ne e dimë shumë mirë deri ku i ka limitet protesta. Kanë qenë në komunikim, kanë ngritur ndonjë telefon dhe u kanë thënë: Shikoni, mos kaloni vijën e kuqe, këtë ne nuk e dimë. Por duke u nisur nga ça ka ndodhur në të shkuarën në Shqipëri dhe realiteti gjeopolitik ku gjendet Shqipëria, rajoni, bota po të doni, na vjen në mend të themi që qejfi na i ka, por ajo s’ua mban atyre. Ne se morëm vesh se çfarë synonin.

Njëherë thoshin do dalim për liderin tonë të burgosur në shtëpi, pastaj për Salianjin, dhe në fund thanë që e bëmë protestën për qeveri teknike. Ata menduan se do kishin më shumë njerëz.  Duke e parë që s’kishin shumë njerëz, dështimi ishte pranë, dhe ata evoluan te fakti që kërkesa e tyre është qeveria teknike. Mosbindja civile bazohet shumë te numri i pjesëmarrësve. Mosbindje civile s’ishte kjo dje, ishte pjesë e spektaklit. Kaq i kanë mundësitë dhe kapacitetin. Pjesa e molotovit ishte për të justifikuar spektaklit.

Berishës i intereson tymi. I duhej që ta nxirrnin mediat ndërkombëtare, sepse i duhej t’u dërgonte mesazh ndërkombëtarëve. Ndoshta është duke negociuar statusin e vet, më mirë pranon arrest shtëpie se të shkojë në burg. Përveç ‘Partizanit’, po elaburohet ‘21 janari’, ka edhe çështje të tjera në proces. Këtu janë militantët më të angazhuar si në qendër edhe në rrethe. Forma për të ardhur në pushtet në demokraci nuk është djegia e selisë së partisë tjetër.

Që të vish në pushtet të duhet jo vetëm të bashkosh opozitën, gjë që nuk ndodh, por të duhet edhe të fitosh edhe elektoratin gri. Me këto forma të mosbindjes civile e fiton dot elektoratin gri? Duhet të iki vet. Ka 50 e ca vjet në politikë! Do opozita të vijë në pushtet? S’ka zgjidhje tjetër përveç largimi të Berishës. Ai e pengon rotacionin. Berisha i ka dhënë provat që i bën të gjitha, sepse jam i bindur që edhe djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale, janë prodhuar në mendjen e Berishës”.

Advertisement