Connect with us

Shkrime

Mosbindja e opozitës që nuk bind!

Nga Denis Dyrnjaja

Në dt 7,ora 18:00 të gjithë në Tiranë për mosbindje civile kundër regjimit të Edi Ramës. Prej rreth 10 ditësh ky ishte refreni ditor i çdo daljeje dhe qëndimi politik të njerëzve të asaj pjese të opozitës që identifikohet nga Sali Berisha dhe ndjekësit e tij. Nuk ishte hera e parë që aplikohej idea e mosbindjes civile. E kishin aplikuar më parë në protesta edhe Lulzim Basha e Monika Kryemadhi kur drejtonin opozitën.

Madje të mbështetur edhe nga lëvizja Kuq e zi e dikurshme nën drejtimin e Kreshnik Spahiut. Atëherë njerëzit e opozitës u ulën nëpër kryqëzime e bllokuan rrugë. Nuk kishte akte dhune ishte më shumë një mesazh paralizues për të treguar prezencën, peshën dhe e ekzistencën e opozitës. Sërish revolta e heshtur dhe atëherë ishte ndaj regjimit të Edi Ramës.

Nuk është se prodhoi ndonjë efekt si çdo gjë artificiale dhe jo si vullnet i lirë qytetar. Pra Edi Rama edhe pse i lë të flasin gjithfarë sojesh, fyejnë, shpifin inskenojnë ngjarje të rreme, protestojnë, të dhunojnë madje edhe të dështojnë prapë ai mbetet fajtor. Kjo impotencë politike dhe publike në vijimësi, po irriton e komplekson keq dhe fort lidershipin e opozitës, që nuk po di si të sillet me këtë njeri që i lejon të bëjnë gjithçka dhe iu fiton zgjedhjet sa herë ato zhvillohen dhe këta që për 12 vjet tanimë fillimisht gëzohen pastaj e kuptojnë që kanë humbur dhe pastaj dëshpërohen sa herë ka zgjedhje.

Në këtë moment nis gjithçka nga e para me akuza të zakonshme, të tipit, regjimi vjedh zgjedhjet, ka blerë mediat, përdor bandat, etj plot si këto. Në fakt këto janë të gjitha justifikime të agonisë politike të kësaj opozite që nuk di as si të sillet dhe as si të organizojë e administrojë fuqinë e saj politike për ta shndërruar në fuqi elektorale ndaj kundërshtarit të saj që i mund edhe me një këngë tallava skurse ishte rasti i zgjedhjeve të fundit. Duket se Rama preferon të përdorë reciprocitetin ndaj kësaj opozite të çoroditur.

Tallava është situata brenda opozitës, me tallava i përgjigjet dhe Rama. Pra ai nuk i merr më as seriozisht këta njerëz që pretendojnë se drejtojnë me seriozitet opozitën. Dhe nuk ka faj. Si mund të merret seriozisht një opozitë që populli e zgjedh të shkojë në Parlament dhe të shndërrohet në alternativë politike e të jetë alternativë besimi, por ajo djeg mandatet dhe bojkoton zgjedhjet, duke u shndërruar në një alternativë dëshpërimi?!

Si mund të merret seriozisht një opozitë që nuk i lë kusur pa i thënë njëri tjetrit për dallaveret korruptive brenda vetes deri te manipulimi i proceseve zgjedhore të brendshme partiake dhe pastaj lëpin çka kanë thënë pa pikën e turpit?! Si mund të merret seriozisht një opozitë që gënjen dhe veten me skenarë imagjinarë persekucioni nga regjimi? Si mund të merret seriozisht një opozitë ku drejtuesit e saj janë në garë kush të duket më i egri në sytë e Berishës kundër Ramës?! Falsitet total. Si mund të duket serioze një opozitë që shpall një revolucion për rrëzimin e regjimit dhe pastaj e harron qe ka nis revolucioni dhe se përmend më?! Si mund të merret seriozisht një opozitë që nis mosbindje civile dhe kryen akte që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me mosbindjen civile?! Deklaron se do të jetë protestë e lirë e qytetarëve dhe gjithë regjinë dhe skenarin e saj e drejton vetë. Mosbindje civile me orar dhe skenar. Në botë ky është rasti i parë. Si mund të merret seriozisht një opozitë shterpë me njerëz që përveç se janë të pavotuar dhe mesa duket edhe të padëshiruar, kërkojnë të fshehin paaftësinë e vet politike me akuza ndaj kundërshtarit politik që e cilësojnë si regjim.

Rama i tall me shprehje të tipit krimi, krimi, droga droga…ska dhe faj, ia japin këtë mundesi. Po, dje në fakt ndodhi një mosbindje civile por ajo nuk ishte nën dirigjimin e Berishës. Ishte një mosbindje civile masive spontane e qytetarëve të Tiranës. Ishte e natyrshme kur ata heshtur qëndruan në rrugë e makina duke i dhënë një leksion militantëve të organizuar të PD së Berishës se shumica nuk është me ta dhe si ata që flasin dhe veprojnë me mendjen dhe gjuhën e zjarrit molotovian. Dhe kur është Tirana rrjedhimisht e gjithë Shqipëria e refuzon këtë mënyrë e këta njerëz që kanë zaptuar atë që quhet sot opozitë bashkë me dirigjentët mediatikë irredentistë që I fryjnë anarkisë.

Sa më shumë këmbëngulin në këtë rrugë pa krye, aq më shumë bëhen pengesë për një alternativë reale opozitare. Sigurisht do të vijë një moment që kjo do të ndodhë me ose pa dashjen e Berishës dhe shpurës së tij, por kjo do të marrë shumë kohë e kosto dhe deri atëherë, Edi Rama do të ketë siguruar ndoshta edhe dy mandate të tjerë qeverisës.

Pra nuk është faji i regjimit por i atyre që me paaftësinë dhe interesin e vet personal kanë marrë peng opozitën, shpresën dhe alternativën që i duhet shqiptarëve, Shqipërisë dhe në fund edhe Edi Ramës dhe qeverisë, si kundërshtarë seriozë dhe jo si individë që paaftësia e vet thjeshtë i bën nervozë!

Advertisement